Një aksident rrugor është regjistruar këtë të enjte në lagjen “Lef Sallata” të qytetit të Vlorës, ku një automjet ka përplasur një grua 29-vjeçare dhe vajzën e saj të mitur, vetëm 5 vjeçe.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti që shkaktoi aksidentin po lëvizte me marshin indietro në momentin kur ka ndodhur përplasja.
Të dyja të plagosurat u transportuan menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, mësohet se gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën. Pas trajtimit, ato janë larguar drejt banesës së tyre.
Policia po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin L. Xh., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi duke kryer manovrën indietro, në lagjen “Lef Sallata”, ka aksidentuar shtetasen P. M., 29 vjeçe, dhe vajzën e saj të mitur 5-vjeçare, të cilat pas ndihmës mjekësore në spital, janë larguar për në banesë.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.