Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës (16 Prill) në një lokal në kryeqytet, ku një person u qëllua dhe u dërgua në një spital privat pas ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur në një restorant në rrugën “Sami Frashëri”, ku një grup prej 7 personash kishIN zënë vend në një tavolinë dhe përfunduan në një sherr të dhunshëm.
Sipas burimeve, dy persona nga grupi kanë pasur një debat, i cili ka degraduar në një konflikt fizik dhe më pas përdorimin e armës. Raportohet se njëri nga personat ka ofenduar tjetrin dhe ka refuzuar t’i japë dorën, duke shkaktuar një tension që ka eskaluar me përdorimin e karrigeve si mjet dhune. Gjatë përleshjes, një nga personat ka tërhequr një armë dhe ka qëlluar një person tjetër, i cili më pas është dërguar në spital.
Pas ngjarjes, të gjithë personat e përfshirë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke përdorur 4 makina, për t’i shpëtuar uniformave blu. Policia ka mbërritur në lokal pas disa minutash dhe ka konstatuar gjurmë gjaku dhe një gëzhojë brenda ambientit. Po ashtu, është sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë, e cila dyshohet se ka rënë nga autori gjatë përleshjes dhe është lënë në tavolinë.
Arma është dërguar për ekspertizë në laboratorin e policisë, për të identifikuar ADN-në dhe shenjat e gishtave, që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Mësohet gjithashtu se konflikti ka lidhje me një çështje financiare, me fajde.
Deri tani, policia nuk ka publikuar informacion zyrtar rreth identitetit të të plagosurit apo të personave të tjerë të përfshirë, dhe as një njoftim të plotë për ngjarjen. Edhe pas 12 orëve, policia po vijon hetimet për të zbardhur ngjarjen.