Në një rrëfim prekës në emisionin “Me zemër të hapur”, nëna e Erjon Pelivanit, i cili u vra nga kunati i tij, Fatmir Tarellari, hodhi poshtë me forcë akuzat e bëra nga vajzat e autorit të krimit. Ato pretenduan se viktima kishte abuzuar seksualisht me njërën prej tyre që në moshë të vogël, por sipas saj, këto janë gënjeshtra të fabrikuara.
“Ajo tha se kishte marrëdhënie me djalin tonë, por në telefon nuk doli asnjë lidhje me atë vajzën. Të gjitha gënjeshtra. U zbërthyen telefonat, edhe i djalit tim, edhe i saj, dhe nuk u gjet asgjë”, deklaroi ajo, duke shtuar se telefoni i të ndjerit vijon të mbahet nga policia.
E shkatërruar nga dhimbja, nëna e Erjonit tregoi se nuk iu lejua të shihte të birin për herë të fundit dhe se më vonë pa në një foto tronditëse pamjet e djalit të saj me kokë të dëmtuar rëndë.
“Më thanë nuk do ta hapim arkivolin. Kur e pashë ditën e gjyqit në foto, ia kishin bërë kokën copë copë. E çuam për ndihmë dhe ai na e vrau” , tha ajo.
Ngjarja tronditëse vazhdon të hetohet nga autoritetet, ndërkohë që familja e viktimës kërkon drejtësi dhe zbardhjen e plotë të së vërtetës.