Marisa Nito, bashkëshortja e biznesmenit Elman Abule, është paraqitur mëngjesin e sotëm (16 prill) në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Nuk është bërë ende e ditur zyrtarisht arsyeja e thirrjes së saj në SPAK, ndërkohë që bashkëshorti i saj, Elman Abule, po hetohet për pastrim parash në kuadër të hetimeve ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Abule u arrestua më 10 shkurt, në të njëjtën ditë kur u ekzekutua edhe masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut Veliaj. Megjithatë, më 13 mars, Apeli i GJKKO vendosi të zbusë masën ndaj biznesmenit duke e zëvendësuar “arrestin me burg” me “arrest shtëpie”.
Sipas vendimit të Apelit, Abule ndalohet të largohet nga banesa dhe të ketë kontakte me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton.