Autoritetet britanike kanë kapur 20 emigrantë shqiptarë, 19 burra dhe 1 grua, të cilët ishin fshehur në kuvertën e një jahti luksoz me qëllim kalimin e paligjshëm në Britani të Madhe. Sipas zëdhënësit të Home Office, emigrantët pritet të dëbohen në Shqipëri pas arrestimit të tyre në Kanalin Anglez.
Në lidhje me ngjarjen, janë arrestuar kontrabandistët që i ndihmuan emigrantët të fshiheshin në jaht. Bleda Bega, 44 vjeçe, akuzohet për “lehtësim të hyrjes së paligjshme” në Mbretërinë e Bashkuar dhe i është caktuar masa e paraburgimit për t’u paraqitur para Gjykatës së Bodmin.
Po ashtu, dy shtetas të tjerë shqiptarë janë arrestuar nën dyshimin për të njëjtën vepër penale. Njëri prej tyre është liruar nga hetimi, por është arrestuar pasi ndodhet ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.