Daut Laze, i arratisur prej 4 shkurtit nga burgu i Shënkollit, është arrestuar mbrëmjen e së hënës (14 prill) nga efektivët e Komisariatit nr. 6 në Tiranë. 49-vjeçari kishte qëndruar i fshehur për më shumë se dy muaj në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në Fresk, Kombinat dhe Astir.
Në dëshminë e tij para autoriteteve, Laze ka deklaruar se gjatë arratisë ishte strehuar në xhami, duke përfituar nga muaji i Ramazanit. Sipas tij, besimtarë myslimanë e kanë ndihmuar të mos bie në sy.
Për të mos u njohur nga policia, Laze kishte ndryshuar pamjen duke hequr mjekrën dhe mbante vazhdimisht një kapele. Burime nga policia bëjnë me dije se prej dy javësh efektivët e Komisariatit nr. 6 kishin në mbikëqyrje banesën e tij në zonën e Astirit, pasi kishin marrë sinjalizime për një rikthim të mundshëm.
Menjëherë pas arrestimit, Daut Laze është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Lezhës. Pritet që ai të merret në pyetje nga Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve në lidhje me arratisjen dhe ndihmësit e tij të mundshëm.
“Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, shtetasi Daut Laze, 49 vjeç, i cili u arratis nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë, me datë 04 shkurt 2025.
Bazuar nga informacionet e marra nga inteligjenca policore, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në Astir, u bë kapja e shtetasit të shpallur në kërkim Daut Laze, 49 vjeç, banues në Astir.
Ky shtetas, me datë 04 shkurt 2025, u arratis nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë.
Veprimet e metejshme do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë”, njoftoi policia mbrëmjen e së martës.