Dalin detaje të reja lidhur me banesën në Laknas, të cilën dy vëllezër e kishin kthyer në shtëpi bari.
Burime për News 24 bëjnë me dije se dy vëllezërit e arrestuar kishin punuar më parë në Angli, dhe pasi mësuan sekretet e punës atje, ata u kthyen në atdhe për të ndërtuar në banesën e tyre një ambient të posaçëm për kultivimin e bimëve narkotike.
Kjo nuk është hera e parë që dy vëllezërit tentojnë të fitojnë para përmes kultivimit të lëndëve narkotike. Raportohet se dy vëllezërit kishin ngritur një shtëpi bari të ngjashme më parë.
Pajisjet e kultivimit ishin aq të avancuara sa që largonin edhe aromën e hashashit. Jashtë banesës nuk ndihet aspak aroma e bimëve narkotike, dhe kjo falë pajisjeve të teknologjisë së fundit.
Burime për News 24 bëjnë me dije se brenda shtëpisë së barit në Laknas u gjetën pajisje të teknologjisë së fundit për kultivimin e bimëve.
Pajisjet e kultivimit ishin aq të avancuara sa që largonin edhe aromën e hashashit. Jashtë banesës nuk ndihet aspak aroma e bimëve narkotike, dhe kjo falë pajisjeve të teknologjisë së fundit.
Për t’u kamufluar dy vëllezërit vendosnin muzikë në banesë, në mënyrë që mos të ngrinin asnjë dyshim.
Gjithashtu nga aksioni policor në Laknas u procedua në gjendje të lirë babai i tyre, 66 vjeçari me iniciale Z. M., , pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.
Në pranga u vendos edhe punonjësi i OSHEE-së, 29 vjeçari me iniciale E. P., për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor “Llamba”, për goditjen e një rasti të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura.
Sekuestrohen lëndë narkotike dhe pajisje elektrike të përdorura për kultivim.
Arrestohen dy vëllezër, të cilët dyshohen se kishin përshtatur banesën për këtë veprimtari kriminale, procedohet penalisht babai i tyre për moskallëzim.
Në pranga edhe një punonjës i OSHEE-së për shpërdorim detyre.
Në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 finalizuan operacionin policor të koduar “Llamba”, në kuadër të të cilit u identifikua një banesë, në fshatin Laknas, e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, ku për rritjen e tyre ishin instaluar pajisje ndriçimi dhe ventilimi, ndërsa energjia elektrike merrej në mënyrë të paligjshme.
Gjatë operacionit u arrestuan 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, të cilët kultivonin bimët në ambientet e kësaj banese, konkretisht shtetasit Sh. M., 38 vjeç dhe F. M., 28 vjeç.
Po ashtu, në vijim të veprimeve, u procedua në gjendje të lirë babai i tyre, shtetasi Z. M., 66 vjeç, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.
Në vijim të hetimeve, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, shtetasi E. P., 29 vjeç, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit vijon punën për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë në numrin 112