Familja e 14-vjeçarit, Martin Cani, i cili u vra disa muaj më parë pranë shkollës “Fan Noli” nga një bashkëmoshatar i tij me thikë, e ka cilësuar mbylljen e Tik Tok nga qeveria, si një përdorimi të tragjedisë së tyre për qëllime politike.
Familja Cani, në një njoftim për media, theksojnë se ngjarja që tronditi vendin nuk ka asnjë lidhje me rrjetet sociale dhe nuk duhet të shfrytëzohet për të justifikuar vendimet e qeverisë.
Në deklaratën e tyre, ata shprehën indinjatën e thellë për mënyrën se si ngjarja është përdorur për të mbuluar dështimet e sistemit arsimor dhe shëndetësor.
“Martini nuk kishte një llogari në TikTok dhe Martini nuk u vra nga TikTok! Martini u vra nga një thikë, e drejtuar nga një bashkëmoshatar i tij,” u shprehën ata.
Familja Cani theksoi se Martini u bë viktimë e një sistemi arsimor të pasigurt, vonesat e ambulancave dhe gabimet në dërgimin e Martin Canit në spitalin më të largët, kur spitali më i afërt, QSUT, ishte vetëm disa minuta larg.
“Martini u vra nga një sistem shëndetësor ku urgjenca e dërgon në spitalin më të largët, për shkak të një protokolli absurd, megjithëse QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Martini u vra sepse në Spitalin e Traumës mungon kardiokirurgu si dhe pajisja e specializuar Extracorporeal Circulation Machine për riparimin e zemrës”, shkruajnë ata.
Në përfundim të deklaratës, ata shprehën keqardhje për tentativat për të përdorur emrin e Martin Canit si justifikim për vendime që nuk lidhen me vrasjen e tij.
“Martini ishte një djalë i mirë, një futbollist me ëndrra, një fëmijë që meritonte të jetonte,” u tha në fund të deklaratës. “Të mos e vrasim për herë të dytë me hipokrizi dhe manipulime politike.”
Deklarata e plotë:
Familja Cani dënon përdorimin e vrasjes së Martin Cani për qëllime politike!
Ne, familja e Martin Canit, e kemi ndjekur me dhimbje dhe indinjatë të thellë mënyrën se si tragjedia jonë po përdoret për qëllime politike dhe për të justifikuar vendimin e qeverisë për mbylljen e rrjetit social TikTok.
Duam ta themi qartë dhe publikisht: Martini nuk kishte një llogari në TikTok dhe Martini nuk u vra nga TikTok! Martini u vra nga një thikë e drejtuar nga një bashkëmoshatar i tij.
Martini u vra nga një sistem arsimor ku mungojnë masat për sigurinë në shkolla, ku institucionet arsimore dhe ato të rendit nuk marrin masa për të parandaluar dhunën. Ai u vra për shkak se prindërit nuk u njoftuan nga shkolla për incidentin e të premtes, duke mos pasur mundësinë e parandalimit te tragjedisë.
Martini u vra nga një sistem shëndetësor ku urgjenca e dërgon në spitalin më të largët, për shkak të një protokolli absurd, megjithëse QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Martini u vra sepse në Spitalin e Traumës mungon kardiokirurgu si dhe pajisja e specializuar Extracorporeal Circulation Machine për riparimin e zemrës.
Ndërkohë, ajo që po vret Martinin për së dyti është mungesa e drejtësisë dhe papërgjegjshmëria e institucioneve! Drejtësia për Martinin ende nuk është vënë në vend, dhe familja jonë nuk do të ndalet së kërkuari që kjo vrasje të mos kalojë në heshtje.
Ne nuk pranojmë që emri i Martinit të përdoret për të justifikuar vendime politike që nuk kanë të bëjnë me vrasjen e tij. Në vend që të merren masa për rritjen e sigurisë në shkolla, për të forcuar edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve, për të parandaluar raste të tjera tragjike, qeveria po kërkon të zhvendosë vëmendjen dhe të shmangë përgjegjësinë e saj reale.
Ne kërkojmë DREJTËSI PËR MARTININ!
Ne kërkojmë që institucionet të ndalojnë përdorimin e vrasjes së Martinit si një justifikim për vendime që nuk adresojnë shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie!
Martini ishte një djalë i mirë, një futbollist me ëndrra, një fëmijë që meritonte të jetonte. Të mos e vrasim për herë të dytë me hipokrizi dhe manipulime politike.
Familja Cani