Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë seancën për vendimin ndaj Erion Veliajt për ditën e mërkurë, data 12 mars, ora 12:30.
Arsyeja e shtyrjes vjen për shkak që avokatët të njihen me provat e reja.
Sakaq, kryebashkiaku i Tiranës, ende nuk ka parashtruar argumentet e tij para togave të zeza.
Apeli i Posaçëm, pasi ka dëgjuar të gjithë argumentet të avokatëve e të pandehurve, gjykata u ka lënë mundësinë e dy prokurorëve të çështjes, Ols Dado dhe Altin Dumani, të paraqesin argumentet e tyre.
Gjatë fjalës së tyre, që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, Dumani ka paraqitur në Apelin e GJKKO-së disa prova te reja, që sipas tij provojnë dyshime të arsyeshme se Veliaj është përfshirë në veprën penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave e ka lidhje klienteliste me biznesmenë, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Kështu, përfaqësuesit ligjorë të Veliajt kërkuan kohë te njihen me këto prova e të japin konkluzionet e tyre.
Kujtojmë se më herët, avokati i Veliajt, Ermir Beta ka bërë parashtrimet dhe duke këmbëngulur që masa e sigurisë “arrest në burg” për Veliajn, duhet të shfuqizohet dhe se kryebashkiakut të Tiranës t’i jepet mundësia të dalë nga paraburgimi.
Ai ka thënë se Veliaj nuk ka asnjë rrezik të prishë provat apo ti dëmtojë ato si dhe as të intimidojë dëshmitarët.
Ankimimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili u arrestua më 10 shkurt, po e shqyrton gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili njihet si gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Në të njëjtën seancë, janë paraqitur për ankimin e masës edhe katër biznesmenët, Elman Abule që ndodhet në arrest me burg dhe tre të tjerët Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi që ndodhen në detyrim paraqitjeje.