Ish-drejtoresha e Spitalit Rajonal të Dibrës, Irini Shehu, është proceduar nga policia edhe për përndjekje të punonjësve.
Policia e Dibrës ka referuar në Prokurori materialet procedurale për veprën penale të “Përndjekjes” ndaj 44-vjeçares.
Irini Shehu dyshohet se ka përndjekur disa punonjës të spitalit, ngjarje e cila ndodhi ditën e djeshme, por nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e përndjekjes apo motivet e saj.
Ish-drejtoresha e spitalit u pushua nga posti pasi dhunoi shefin e Financës së spitalit dhe në vend të saj është emëruar Astrit Ademi.
Materialet procedurale tashmë i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila do të vijojë me hetimet për rastin.
Më 11 shkurt, Drejtoresha e Spitalit të Dibrës u vu nën hetim, pasi dyshohej se ka goditur me një send të fortë në fytyrë shefin e Financave në këtë spital. Ka qenë ky i fundit ai që ka referuar rastin në policinë e Dibrës.
“Shtetasi me iniciale Sh.U., 37 vjeç, banues në Peshkopi ka kallëzuar se në ambientet e spitalit pas një konflikti verbal, është goditur me një send të fortë në fytyrë nga I.Sh., 44 vjeçe, banuese në Peshkopi, me detyrë Drejtoreshë e Spitalit Rajonal Dibër.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen I.Sh., e dyshuar se ka kryer veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje“,”-njoftoi policia.