Është arrestuar 36-vjeçari Isnik Nokshiqi, i cili një ditë më parë përplasi efektivin e policisë dhe u largua nga vendngjarja.
I riu akuzohet për veprën penale “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, e mbetur në tentativë.
Sipas njoftimit të bluve, oficerët i bënë me shenjë Nokshiqit që të ndalonte. 36 vjeçari pasi është ndaluar ka shfaqur shenja nervozizmi dhe ka nisur debate me fjalë me punonjësit blu.
Ai më pas u largua me shpejtësi me makinë, duke përplasur kështu policin e qarkullimit rrugor, A.L., si dhe ka rrezikuar jetën e punonjësve të tjerë blu.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 17:30, në zonën e Freskut.
LEXONI EDHE: E rëndë në Tiranë, automjeti përplas policin! Efektivi transportohet në spital, si paraqitet gjendja e tij
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të ditës së djeshme, për aksidentin e ndodhur në Fresk, ku për pasojë mbeti i dëmtuar 1 punonjës policie, ju bëjmë me dije:
Rreth orës 17:30, në zonën e Freskut, shërbimet e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë qenë në shërbim, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. N. (i cili u identifikua më pas).
Pas ndalimit të automjetit, drejtuesi ka shfaqur shenja nervozizmi dhe ka filluar të debatojë dhe të kundërshtojë me fjalë punonjësit e Policisë.
Drejtuesi i automjetit është larguar me shpejtësi me automjet duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor shtetasit A. L. dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të tjerë të Policisë.
Për pasojë është dëmtuar punonjësi i Policisë A. L., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në përfundim të veprimeve është arrestuar shtetasi I. N., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.