Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, u paraqit mesditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, nga ku doli pas rreth 4 orësh.
Bushka u paraqit rreth orës 12:00, për të dalë rreth orës 16:00.
Kujtojmë se deputetja e PS, është marrë nën hetim nga SPAK dhe akuzohet për kryerjen e veprimeve aktive “që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në rastin e dosjes së Veliajt.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se Bushka është thirrur si e dyshuae se ka orientuar dëshmitarët se çfarë të deklarojnë, konkretisht shtetasen Ina Goxhaj, ish-drejtoreshë ekzekutive e Byl-a.
Më herët, vetë Klotilda Bushka ka pranuar se ka komunikuar me Ina Goxhajn, duke u shprehur se ka e ka kushurirë dhe ka tentuar ta qetësojë, por jo që ta pengojë të thotë të vërtetën.
“Nuk e kam penguar të thotë asgjë dhe as nuk kam tentuar të fsheh asgjë, sepse jam e interesuar të zbardhet e vërteta”, është shprehur deputetja e PS.
Gjithashtu shtoi se: “Nuk di ta shpjegoj e çfarë mund të ketë ndodhur në Prokurori, çfarë presioni trysnie mund të ketë ndjerë kushërira ime që në deklaratat tona private ajo i ka sjellë e përcjellë në kontekst tjetër.”
Sipas SPAK, është konstatuar se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se Klotilda Bushka ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.