Një sherr i dhunshëm ka ndodhur pasditen e së premtes (21 Shkurt) rreth orës në vendin e quajtur “Rruga për në Heremec”, në Sarandë, ku ka mbetur i lënduar rëndë biznesmeni Arben Çipa.
Sipas një video të bërë nga vetë Çipa, ky i fundit ka treguar se është sulmuar nga dy persona, ku sipas tij, njëri prej tyre është bërë pengesë për një projekt tijin, administratori i një klubi nate i quajtur “Four elements”.
Në pamje, Çipa shfaqet i gjakosur dhe i dhunuar rëndë, me shenja të dukshme të grushtave dhe përdorimit të sendeve të forta, që sipas tij janë përdorur nga autorët.
Ai tregon se teksa ishte në rrugë, një prej sulmuesve, i identifikuar si Dio, e ka ndaluar dhe ka filluar të diskutonte lidhur me projektin që ka përplasur të dy palët.
“Është ora 16:10, duke shkuar në punën time, në Heremec, një person me emrin Dio, i cili është administrator i “Four Elements”, më ka prerë rrugën bashkë me një person tjetër dhe duke diskutuar për një çështje që ai është bërë pengës për një projekt timin, ata kanë dalë dhe kanë filluar me fyerje.
Unë nuk i kam pranuar fyerjet dhe ata kanë shfrytëzuar momentin dhe më janë vërsulur brenda makinës time me grushte dhe gurë. Kam tentuar të mbrohem por e kam pasur të pamundur në atë moment. Ka arritur në një moment që kanë krijuar një situatë të tillë në krejt trupin tim”, tregon ai.
Ndërkohë, policia njoftoi se ka vënë në pranga Diomet Musai, i cili së bashku me nipin e tij 29 vjeçarin Markeljan Musai, dyshohet se dhunuan 52-vjeçarin Arben Çipa, për motive të dobëta duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Sipas policisë, 37-vjeçari, me precedent kriminal në krimet ndaj personit, u lokalizua në një banesë në fshatin Lukovë ku po fshihej. Ndërsa vijon puna për kapjen e 29-vjeçarit të shpallur në kërkim si bashkëautor.
Njoftimi i policisë:
Falë veprimeve të shpejta të Specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, u lokalizua në një banesë në fshatin Lukovë, ku po fshihej, dhe u arrestua shtetasi D. M., 37 vjeç, me precedent kriminal në krimet ndaj personit. Ndërkohë, vijon kërkimi për kapjen e shtetasit M. M., 29 vjeç.
Dy autorët, xhaxha dhe nip, dyshohen se më datë 21.02.2025, rreth orës 16:10, në vendin e quajtur “Rruga për në Heremec”, në lagjen nr. 3, Sarandë, për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, shkelma dhe sende të forta shtetasin S. Ç., 52 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Shërbimet e Policisë po vijojnë punën për kapjen e 29-vjeçarit të shpallur në kërkim si bashkëautor.
Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.