NIKOLETA KOVAÇI/ Një ngjarje e rëndë sërish e ka tronditur Shkodrën. Një i ri ka qëlluar me plumb në kokë bashkëjetuesen e vet e më pas i ka dhënë fund jetës me të njëjtën mënyrë.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Mark Lula’, ndërsa krismat janë dëgjuar nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe ambulancën. Ndonëse në gjendje kritike për jetën, gruaja ishte me shenja jete, ndërsa autori është konstatuar i pajetë. E plagosura është nisur me shpejtësi drejt spitalit të Shkodrës, që më pas është nisur në drejtim të Tiranës, për shkak të gjendjes së saj mjaft të rëndë. Kurse viktima, i identifikuar si Kolë Manaj është transportuar në morg.
Gjithçka është mësuar pas ngjarjes së rëndë është fakti që krimi dyshohet të ketë ndodhur për shkak të refuzimit të djalit të largohet prej bashkëjetueses së tij, bashkëjetesë që thuhet se ka nisur rreth 5 vjet më parë dhe që përfundoi në mënyrën më të tmerrshme të mundshme. Policia dhe prokuroria e Shkodrës, që kanë nisur hetimet mbi rastin, kanë mundur të faktojnë detaje të vogla konfliktesh mes tyre, që dyshohet që çuan edhe në përdorimin e armës së zjarrit për ta zgjidhur njëherë e mirë mosmarrëveshjen mes tyre.
PO KUSH JANË VIKTIMAT E DJESHME
Sipas të dhënave policore mësohet se Anila Ndoka (Prendushi), është nënë e 3 fëmijëve, që i kishte nga martesa e parë. Ajo është 44 vjeçe dhe pasi ishte divorcuar me të atin e fëmijëve, dyshohet se ka krijuar lidhje me 34-vjeçarin, Kolë Manaj. Sipas të dhënave të para ata kanë bashkëjetuar prej kohësh, në një marrëdhënie jo të panjohur në zonë dhe në mes të familjeve të tyre.
Gruaja, e cila jetonte edhe me njërin nga tre fëmijët e saj, pasi dy të tjerët bëhet me dije se i mbante bashkëshorti, punonte si punonjëse sociale, ndërkohë që në lidhje me Manajn nuk bëhet me dije ndonjë profesion i tij. Por pas aktit të rëndë, hetuesit kanë hapur rrjetet sociale të viktimës dhe të plagosurës për të kuptuar më shumë në lidhje me bashkëjetesën e tyre dhe është konstatuar se Manaj trumpetonte me një mënyrë të çuditshme “gjënë” që donte: “Atë që e do fort, mos e lësho, mos hiq dorë për asnjë arsye në botë!”
Referuar të dhënave policore saktësohet se nga dëshmitë e grumbulluara paraprakisht është fiksuar fakti se Manaj nuk është njohur për precedentë të mëparshëm dhe as nuk ka qenë ndonjë person problematik në lagje. Dyshohet se kohëve të fundit kishte pasur grindje mes tyre, duke çuar grupin hetimor drejt dyshimit që gruaja mund të ketë tentuar t`i jepte fund lidhjes me djalin 10 vjet me të ri se ajo, por ky i fundit nuk ka pranuar.
Dëshmitarët kanë treguar se kanë dëgjuar zënka mes tyre, por jo shqetësuese, ndërkohë që priten marrje dëshmish te persona të afërt me çiftin. Po ashtu mësohet se një prej personave kyç që pritet të hedhë dritë mbi ngjarjen e rëndë do të jetë fëmija i të plagosurës, që jetonte me ta, po ashtu edhe familjarët e të dy palëve. Policia dhe grupi hetimor shpreson edhe në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të gruas, e cila ka marrë plumb në kokë, por që vijon të jetë nën kujdesin intensiv të mjekëve të Tiranës. Vetëm një dëshmi e saj mund të sqarojë gjithçka ka ndodhur mes tyre, ndërkohë që grupi hetimor ka sekuestruar armën e zjarrit dhe telefonat celularë të çiftit.
/Gazeta Panorama