Prokuroria e Posaçme ka shpërndarë reagimin e Komisionit Evropian, i cili përshëndeti punën e bërë nga SPAK, gjatë takimit të 16-të të Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, i zhvilluar më 11 dhe 12 shkurt 2025.
Përmes një postimi në rrjete sociale, SPAK ndan reagimin e KE në të cilën thuhet: Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij ë hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë guri i themelit i reformës në drejtësi të vitit 2016.
Postimi i plotë:
Komisioni Europian përshëndeti rezultatet e vazhdueshme të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjatë takimit të 16-të të Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, i zhvilluar më 11 dhe 12 shkurt 2025.
“Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë guri i themelit i reformës në drejtësi të vitit 2016, konsolidimin e vazhdueshëm të së cilës BE-ja e mbështet dhe promovon si pjesë përbërëse e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë. SPAK-u ka kontribuuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të ofruar një historik të besueshëm rezultatesh kundër krimit të rëndë, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë.“