NGA SEJDO HARKA
Sapo zbret në Sukën e Përmetit, vështrimi të ngulet lart në horizont, tej së cilës, si në muzg, të shfaqet maja e Taroninës, e cila nga larg i ngjan një trekëndëshi natyral me bukuri të rrallë, që duket sikur kërkon t’i bëjë karshillëk majave hijerënda dhe të ashpra të malit të Trebeshinës. Aty, nën këmbët e malit të Taroninës shtrihet Zhepova, një nga fshatrat më të mëdhenj dhe më prodhimtarë, jo vetëm të krahinës së Dëshnicës, por dhe të gjithë rrethit të Përmetit.
Tokat e këtij fshati kanë shijen e mushtit të rrushit dhe erën e këndshme të livadheve, të mollëve dhe të qershive ngjyrë ari. Në këtë vend afshi i rakisë së fortë, që çurgon nga llullaja e kazanit ndez zjarrin e bisedave të ngrohta dhe të këngëve të rralla vënçe. Kur nis pranvera, ky fshat i ngjan një deti të gjelbërt, mbi të cilin duket sikur notojnë shumëllojshmëria e pemëve frutore, veçanërisht hardhia, të cilat rënkojnë nga pesha e mushtit si pika e mjaltit, bimësia e shumëllojtë dhe pyjet me lisa e shkurre të pafunda, livadhet me bar e lule, ku fshihen e gjallëron një botë e pasur me kafshë shtëpiake dhe të egra. Këtij deti të gjelbërt ia shtojnë bukurinë kodrat që e rrethojnë si një gjerdan natyror. Fshatin e ndan si me thikë Përroi i Xhallarëve, cili për shkak të egërsisë së tij është quajtur përroi i frikshëm, që e merr vrullin nga Shpella e Pëllumbave, për ta lënë frymën në Lumin e Dëshnicës. Janë bërë përpjekje për të gjetur prejardhjen etimologjike të emrit të këtij fshati, por deri më sot nuk është gjetur ndonjë variant plotësisht bindës.
Megjithatë, të parët tanë kanë lënë këtë gojëdhënë, e cila ka kaluar gojë më gojë brez pas brezi këtë variant: Dikur në këtë fshat ka ekzistuar një grua me emrin Zhepë, që pasi lindi disa djem, i vdiq bashkëshorti. Ajo, pasi i rriti djemtë e saj me shumë mundime, i shpërndau në disa lagje të fshatit, në mënyrë që ata të bëheshin zot të vetvetes dhe të popullonin fshatin. Për shkak të autoritetit dhe zgjuarsisë së saj, ky fshat do të marrë emrin e saj. Ndoshta, më vonë, emri “Zhepë”, sipas ligjeve të gjuhës, ka marrë trajtën e sotshme “Zhepovë”. Se cila është lashtësia e banimit e emrit të këtij fshati banimi, ende nuk dihet e saktë. Por, dihet se, edhe pse besimi i banorëve të këtij fshati sot është myslimano-bektashi, fakti që në këtë fshat ekzistojnë edhe sot toponime të tilla si “Kishë”, “Bregu i Priftit”, tregon se besimi i banorëve të këtyre anëve mund të ketë qenë ortodoks, i cili është konvertuar më vonë, dukuri që ka ndodhur në të gjithë vendin tonë.
Për hershmërinë e banimit të këtij fshati flet dhe gjetja e enëve, qypave dhe zbukurime me qeramikë gjatë ndërtimit të shtëpive të fshatit dhe në themelet e gërmadhave të hershme. Numri i banorëve dhe shtëpive të këtij fshati arriti kulmin në fundin e viteve tetëdhjetë. Si rezultat i politikave totalitare, të cilat nuk lejonin askënd të largohej nga fshati, në këtë kohë Zhepova arriti të kishte rreth 350 shtëpi karakteristike, të ndërtuara me gurë e të mbuluara me dërrasa guri dhe rreth 1500 banorë. Por, fillimi i viteve nëntëdhjetë, ashtu si gjithë shqiptarët, edhe banorët e këtij fshati do t’i gjente në kufijtë e zhgënjimit dhe të shpresës, të ëndrrës për një jetë më të mirë dhe protestës për përmbysjen e sistemit të mjerimit totalitar.
Të lodhur nga varfëria e tejskajshme dhe si rezultat i politikave vetshkatërruese që ndoqën qeveritë e para të tranzicionit, njerëzit që nuk po kuptonin se ç’po bënin, shkatërruan nga themelet ç’do gjë që ata kishin ndërtuar me mundin dhe djersën e tyre për 45 vite me radhë. Brenda disa ditësh u rrëzuan shtyllat telefonike, u prishën kanalet ujitëse dhe çezmat, u prenë mijëra e mijëra rrënjë qershi, mollë dhe kumbulla e hardhi, të cilat, jo vetëm jepnin prodhime të bollshme, por dhe zbukuronin kodrat përreth fshatit. Në ato vite dëshpërimi edhe banorët e këtij fshati morën udhën e mërgimit për një mirëqenie më të mirë dhe liri të vërtetë. Prandaj, shumë të rinj, duke shpresuar tek emigrimi, u nisën si “Qerosi”, shaluar mbi “Zhgabonjën mishngrënëse” të mitologjisë për t’u larguar nga “Ferri”, me shpresën se një ditë do të ngjiteshin në “Parajsën e ëndrrave”. Por, fatkeqësisht, disa prej tyre si: Edlira Shkurta, Eduard Shkurta, Dile Vrenozi, Hamit Cicollari dhe Ardjan Vrenozi, vdiqën në moshën e rinisë në mërgim pa e shijuar ëndrrën për një jetë më të bukur.
SHKOLLA DHE MËSUESIT E SAJ, BURIM DIJESH DHE KULTURE PËR FSHATIN
Zhepova është, jo vetëm vendi i njerëzve të luftës dhe të punës, por dhe i dijeve dhe kulturës. Shkolla e parë, në këtë fshat të largët është hapur që në vitet tridhjetë nga mësuesi Abaz Pagria. Ndërsa pas çlirimit ajo do të rihapej nga mësuesi i parë i fshatit Rushit Shkurta.
Në kujtimet e tij ai tregon se, në fillim si shkollë shërbeu një banesë fshati. Në vend të stolave ku uleshin nxënësit u përdorën disa dërrasa druri të vendosura mbi gurë. Ndërsa në vend të dërrasës së zezë u përdorën pllaka të mëdha guri. Kurse në vend të shkumësave, thëngjij zjarri. Zhepova është ndër fshatrat e para të zonave të thella, që aty nga viti 1975 do të çelte dyert, për herë të parë, shkolla e mesme me drejtim bujqësor(natën), e cila do t’i shërbente pajisjes të nxënësve me njohuritë e domosdoshme për bujqësinë dhe blegtorinë.
Më pas, pranë kësaj shkolle do të hapej, jo vetëm dega bujqësore me shkëputje nga puna, por dhe e Gjimnazit, ku do të vazhdonin mësimet nxënës që vinin jo vetëm nga Zhepova e Shelqi, por edhe nga fshatrat e tjerë të Dëshnicës, bile dhe nga fshatrat kufitare të Skraparit. Në vitin 1980, në këtë fshat u ndërtua shkolla e re 3-katëshe, në të cilën mësonin rreth 500 nxënës, me një personel arsimor edukativ rreth 40-50 mësues dhe edukatore.
Në këtë shkollë kanë marrë dëftesë pjekurie qindra e qindra nxënës, shumë prej të cilëve kanë mbaruar shkollat e larta në të gjitha specialitetet, të cilët sot ushtrojnë profesionin e tyre në të gjitha anët e vendit dhe botës. Nga bankat e kësaj shkolle kanë dalë profesorë dhe doktorë shkencash, pedagogë dhe njerëz të letrave, autorë librash, gazetarë dhe studiues, gati në të gjitha fushat e jetës dhe të shkencave, nëpunës në organet e larta të shtetit, në Universitete të ndryshme dhe në televizionet shqiptare si: Muarem Shkurta, prof. dr.Kapllan Sulaj, Agim Kasaj, etj; ekspertë dhe specialistë të ekonomisë, financës, drejtësisë dhe bujqësisë si: Ramiz Kamani, Safet Harka, Elidiona Harka, Emëror Kasaj, Dritan Harka. Ushtarakë të lartë si: Hetem Shkurta, Xhelal Abazi, Abedin Shkurta, Ferrik Harka, Kamber Harka, Muharrem Kamani dhe dhjetëra e dhjetëra intelektualë të lartë, që kanë spikatur me punën e tyre në të gjitha anët e vendit dhe të shtetet e botës. Nga dyert e kësaj shkolle kanë dalë mësuesit: Seit Nanollari, Nafiz Xhaferi, Tomorr Shkurta Hysen Sulaj, Isuf Cicollari, Lirim Harka, Luan Shkurta, Hekuran Sedaraj, Raif Shkurta, Xevaire Harka, Trëndelina Shkurta, Agron Jahollari etj, të cilët tërë jetën ja kushtuan zhvillimit të arsimit dhe kulturës në këtë fshat. Ndërsa sot ajo fatkeqësisht, jo vetëm “vajton” dyert e mbyllura, por kërcënohet edhe nga shkatërrimi i plotë i saj.
ÇIFTI GJIROKASTRIT, QË IA KUSHTOI TËRË JETËN ARSIMIMIT TË FËMIJËVE TË FSHATIT
Shumica e mësueseve të Shkollës së Bashkuar “Shefqet Nurçellari” të Zhepovës kanë qenë mësues vendas, të cilët kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle. Ndërsa pjesa tjetër vinte, jo vetëm nga trevat e Përmetit, por edhe nga rrethe të tjera si Gjirokastra dhe Vlora. Ishin vitet, kur në këtë rreth mungonin në mënyrë të dukshme mësuesit. Janë të shumtë mësuesit e hershëm, si Agim Ruka, Hektor Radhima, Drin Kokoshi, Jorgo Kllapi, Sotir Gjici, të cilët vinin nga rrethet e tjera, që, edhe pse jetonin në kushte të vështira, punën e mësuesit e bënin me pasion dhe përgjegjësi të lartë. Por, në fillimet e saj, mësuesit, të cilët lanë gjurmë të thella në këtë fshat dhe në shkollën e tij, ishte çifti Llazo dhe Virgjini Duda Gjici, të cilët erdhën këtu në vitet 1958-59, në një moshë tepër të njomë dhe u larguan të thinjur në prag të pensionit, duke ja kushtuar gati tërë jetën arsimimit të fëmijëve dhe të banorëve të këtij fshati të madh, por tepër të largët.
Këtu ata u dashuruan me njeri-tjetrin dhe më vonë lindën dhe rritën 3 vajza të mrekullueshme, duke u bërë shembull qytetërimi edhe për familjet e fshatit. Edhe pse vinin nga Gjirokastra, ata morën dhe sollën tradita të reja jetese e gatimi. Po, kush ishin në të vërtetë këta mësues të rinj, të cilët edhe pse erdhën, ndoshta pa dëshirën e tyre, por më vonë ata do të dashuroheshin me shkollën, nxënësit, natyrën dhe banorët sa punëtorë aq dhe bujarë të këtij fshati të largët të Përmetit. Virgjinia, sapo mbaroi Shkollën Pedagogjike, kërkoi të punësohej si mësuese, por, siç tregon edhe vetë ajo, për të vetmin faj se ishte bijë e një tregtari, u degdis të punonte në fshatrat më të thella të rrethit të Përmetit.
Megjithatë ajo, kudo që i shkeli, u dashurua me profesionin e bukur të mësuesisë, me fëmijët, natyrën dhe njerëzit e këtyre anëve. Mbasi rendi në disa fshatra të Dëshnicës, më në fund u ngul në shkollën e fshatit Zhepovë. Atje Virgjinia, kjo vajzë çapkëne dhe e bukur, nuk kurseu asgjë për mësimin dhe edukimin e fëmijëve të këtij fshati. E quaj veten me fat që, mësimet e para i kam marrë nga kjo mësuese e talentuar dhe shumë e dashur me nxënësit dhe gjithë njerëzit e fshatit. S’kam për të harruar kurrë kujdesin dhe vendosmërinë që tregonte ajo për të na i ngulur, si me gozhdë në kokë, çdo gjë që parashikonte programi mësimor, brenda orës së mësimit. Shkrimi i saj si rruaza, zëri dhe diksioni i saj i rrallë prej aktoreje, u bë për ne model i përhershëm. Akoma më tepër në kokë më është ngulitur puna që bënte ajo për t’u mësuar nxënësve të saj si të recitonin, të kërcenin e të këndonin.
Ajo ishte e para mësuese që u mësoi vajzave të fshatit si të bënin balet, ku si vegël muzikore përdorte muzikën e gojës. Ishte koha kur, në këto anë, vendin e orkestrave e zinin tingujt e ëmbël të fyellit, cyles dhe kënga e bukur e zogjve. Aq shumë ndenji Virgjinia në këtë shkollë, saqë, ne ish-nxënësit e saj, edhe pasi kishim mbaruar Universitetin dhe u rikthyem mësues dhe drejtues në këtë shkollë, ajo vazhdonte të punonte pa u lodhur, po në këtë shkollë. Rasti e solli që, sapo dola nga dyert e Universitetit Shtetëror të Tiranës, të emërohesha drejtor i kësaj shkolle, pa përvojë pune. Prandaj, sapo u prezantova si drejtues, fjalët e para që i thashë mësueses time të parë ishin: “Ju më mësuat si të hidhja hapat e para në rrugën e dijes, tani ju lutem, mësomëni edhe artin e të mësuarit të nxënësve!” Ndërsa bashkëshorti i saj, Llazo Gjici, erdhi në shkollën e Zhepovës si drejtor i saj në vitin 1959, pasi kishte mbaruar Institutin 2- vjeçar të Shkodrës. Në fillim kishte mbaruar Shkollën Pedagogjike me të gjitha notat pesa. Ishte koha kur pesa ishte nota më e lartë kaluese.
Kjo tregon se ai shkëlqente në të gjitha lëndët. Pasioni i tij i veçantë ishte matematika dhe fizika. Por, më vonë, për çudi mbaroi Universitetin për gjuhë shqipe dhe letërsi, pa shkëputje nga puna, përsëri me rezultate të larta. Për shkak të mungesës së mësuesve specialistë në shkollën e fshatit që drejtonte, ai u bë mësimdhënës universal. Jo vetëm sepse ishte i detyruar nga mungesa e mësuesve specialistë të lëndëve të ndryshme, por dhe për shkak edhe të kënaqësisë që ai ndjente për t’i dhënë me kompetencë, pothuajse shumicën e lëndëve kryesore të programit shtetëror të Shkollës 8 dhe 9-vjeçare. Për shumë vite me radhë ai dha me pasion e në nivel të lartë, herë matematikën e fizikën, herë historinë e gjeografinë dhe herë gjuhën shqipe dhe leximin letrar, edhe pse Universitetin e kishte mbaruar vetëm për gjuhë dhe letërsi. Llazo Gjici, edhe pse sot është afër të nëntëdhjetave, vazhdon të lexojë e diskutojë çdo ditë me kolegët e tij për problematika të ndryshme të shkencës dhe të shoqërisë, duke demonstruar një kujtesë dhe memorie të rrallë. Është kjo arsyeja që të gjithë ish-nxënësit dhe kolegët e tij vazhdojnë ta thërresin drejtor.
NGJARJE, QË KANË TRAZUAR SHPIRTRA NJERËZISH
Njerëzit e këtyre anëve nuk kanë për të harruar brez pas brezi traumat shpirtërore që kanë shkaktuar rrebeshe luftërash, edhe në këtë fshat. Zhepovitët nuk kanë për të harruar masakrat greke të vitit 1914. Mjafton të përmendësh vrasjen e të dy bashkëshortëve të një familjeje të varfër të këtij fshati para syve të djalit të tyre të mitur Hysen Cicollari, për të vetmin faj se ata kishin dalë të punonin arat e tyre për bukën e gojës, dhe bindesh për egërsinë çnjerëzore të asaj lufte që dogji, vrau dhe shkatërroi gjithçka që gjente përpara, për t’i detyruar njerëzit që të shpërnguleshin nga trojet e tyre. Ushtarët grekë, vetëm kur e panë se Hyseni i vogël, i tromaksur nga krismat e armëve vrastare, nga që nuk po kuptonte se ç’po ndodhte, nisi të luante me guriçka pranë kufomave të prindërve të tij të gjakosur, vendosën ta marrin me vete djalin e mbetur jetim për ta rritur në Greqi Vetëm pasi ai u rrit u rikthye në fshatin e tij. Për çlirimin e Atdheut, nga ky fshat ranë 5 dëshmorë. Ndaj, për të nderuar sakrificën e tyre, u ngrit një lapidar. Por, pas vitit 1990, disa njerëz të dëshpëruar nga varfëria e tejskajshme dhe mllefi ndaj sistemit monist e rrëzuan atë kult të Luftës Nacional-Çlirimtare, duke harruar se liria e vendit nga pushtuesit e huaj erdhi nga gjaku i tyre i derdhur lumë.
PLAGË, QË NUK SHËROHEN ME HAKMARRJE DHE URREJTJE
Në vitet tridhjetë, midis dy familjeve të këtij fshati, për shkak të një keqkuptimi, ndodhi një grindje e madhe. Kjo grindje shkaktoi disa viktima. Me kohë kjo grindje vrastare e çastit, jo vetëm u zbeh, por si për çudi po sillte një miqësi të re. Ishin dy të rinj, që u dashuruan mes tyre dhe lindën një vatër fëmijësh. Ata, me dashurinë e tyre të sinqertë kishin varrosur urrejtjen dhe hakmarrjen për t’i dhënë frymëmarrje miqësisë së vërtetë. Në vitin 1997, një mjegullnajë e re, ashtu si papritur, si në gjithë vendin, edhe tek banorët e këtij fshati kishte nisur të turbullonte shumë shpirtëra njerëzorë. Për shkak të një cope toke, dy familje fqinje me lidhje gjaku, papritur u përballën me armët vrastare, të cilat në atë kohë dolën nga kazermat ushtarake si të ishin karamele. Familjarët e njërës prej këtyre dy familjeve, një mëngjes, pa gdhirë mirë të armatosur deri në dhëmbë qëlluan me breshëri mbi nënë e bir të familjes fqinje duke i lënë të dy të vrarë. Këto vrasje pa kuptim do të sillnin shfarosjen e familjes që vranë 2 njerëz të pafajshëm. Dy prindërit e familjes tjetër u vetëvranë në qelitë e burgut, ndërsa djali i tyre mbeti i vrarë në Greqi. Ja ç’ndodh kur mosmarrëveshjet zgjidhen me grykën e pushkës dhe jo me logjikën e ligjit dhe të mirëkuptimit. Por pozitiv është fakti që në këto anë gjakmarrja nuk është fenomen i dukshëm. Njerëzit e kanë kuptuar se “gjakmarrja është një lubi që ha bijtë e vetë”. Mesazhi i kësaj sentence kuptimplote thellohet nga këto fjalë të mençura të Shenjtores Nënë Tereza: “Ka njerëz që janë të paarsyeshëm, të palogjikshëm dhe egoistë. Duajini ata, sidoqoftë! Jepini botës më të mirën që keni në shpirt!” Kjo është motoja e njerëzve të mençur dhe humanë. Ndërsa nobelisti i madh Kazuo Ishiguro na këshillon që tërë jetën të udhëhiqemi nga “Detyra për të kujtuar dhe nevoja për të falur dhe harruar”.
MUNDËSI DHE SHPRESA PËR RIPËRTËRITJEN E FSHATIT
Sot fshati Zhepovë, edhe pse dikur ishte një nga fshatrat më të mëdhenj e më prodhimtarë të Përmetit, i ngjan një shkretëtire të rrënuar, edhe pse ka mundësi të mëdha zhvillimi. Disa nga këto mundësi për zhvillim janë: tokat pjellore, të përshtatshme për kultivimin e gjithçkaje, veçanërisht për kultivimin e pemëtarisë dhe sidomos të hardhisë, kushtet e përshtatshme klimaterike, rezervuarët e ujit, çezmat e krojeve si kristali, livadhet dhe kullotat e bollshme për zhvillimin e blegtorisë, të cilat kanë qenë dhe mbeten resurse të mëdha për zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Në këtë fshat, në përroin e Zindanit gjenden edhe shenjat e ujërave të nxehta kuruese, të cilat, nëse do të rregulloheshin, do t’u shërbenin, jo vetëm banorëve të këtyre anëve, por dhe vizitorëve të tjerë Megjithatë, një shpresë e re për ripërtëritjen e fshatit sapo ka nisur të duket. Kanë filluar të rindërtohen nga themelet shtëpi tradicionale me mure guri dhe çati të mbuluara me dërrasa guri në lagje të ndryshme të fshatit, por veçanërisht në lagjen Shkurtaj, që është bërë komplet e re.
Ka nisur të mbillen e kultivohen parcela me vreshta rrushi e pemë të tjera frutore. Por, a nuk do të ishte mirë që të gjendej mënyra e ripërtëritjes së traditës së mbjelljes së pjergullave pranë çdo lisi, ku dhe rendimenti i prodhimit të rrushit është vërtetuar që është shumë më i lartë. Janë krijuar disa tufa bagëtish që prodhojnë bulmet dhe mish të shijshëm. Janë hapur rrugë të reja automobilistike për të lidhur lagjet dhe fshatrat përreth me njeri-tjetrin. Falë përpjekjeve këmbëngulëse të veprimtarit të spikatur të Shoqatës së këtij fshati, Ramiz Kamani, u bë e mundur gjetja e mjeteve monetare dhe mjeteve të ndërtimit të rrugës që lidh Zhepovën me Shelqin, me parametrat e duhura. Por dihet që ajo që do t’i hapë dritën jeshile ripërtëritjes së këtij fshati është rindërtimi me parametrat e duhura e rrugës kryesore Zhepovë-Sukë, e cila do të rikthente, jo vetëm vëmendjen e të larguarve në këto anë, por dhe të vizitorëve të shumtë. Në këtë fshat funksionon edhe një Shoqatë Atdhetare Kulturore, që drejtohet nga veprimtarët e saj të spikatur si Agim Kasaj, Artur Shkurta, Fatos Shkurta, Augent Xhaferraj, Fatmir Sulaj, Lavdosh Saliaj, etj, të cilët bëjnë përpjekje për ripërtëritjen e fshatit./Gazeta Panorama