Ish-Prokurori Eugen Beci, është shprehur se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, nuk mund të hetohej sipas tij në gjendje të lirë, teksa ka interpretuar kodin e procedurës penale sesi caktohet një masë sigurie.
I ftuar në studion e emisionit “Open” në News 24, Beci tha se “në rrethanat ku gjendet, për faktet e mbledhura, për faktet se ku ndodhet personi, në detyrë apo jo, ishte masa më e përshtatshme”.
“Drejtësia shqiptare po abuzon me masën e arrestit në burg që është masë ekstreme dhe nuk duhet përdorur në mënyrë intensive. Por për rastin konkret, kjo ishte masa më e përshtatshme. E njëjta vlen dhe për zonjën Ajola Xoxa”, tha Beci.
Beci: Referuar vetëm kritereve ligjore të kodit të procedurës penale për caktimin e masave të sigurisë, ka dy qasje që duhen marrë në konsideratë. E para, rrezikshmëria shoqërore e veprës, e lidhur me rrezikshmërinë e personit, e cila patjetër duhet të kombinohet me faktin e rrezikut të prishjes së provave, e rrezikut të largimit të personit, të sjellin në konkluzionin e caktimit të një mase sigurimi.
Referuar krahasimeve punës, të historikut të masave të sigurisë së Gjykatës së Posaçme, jam i bindur se masë tjetër për Erion Veliajt nuk mund të kishte.
Fakti i thjeshtë që edhe për personazhe të tjerë publike, për të cilët nuk kanë qenë fare në detyrë, që nuk mund të prishin provat, kishim masa sigurie që janë në ekstremin e kodit të procedurës penale.
Në këtë prizëm, masa e sigurimit në këto rrethana, për faktet e mbledhura, për faktet se ku ndodhet personi, në detyrë apo jo, ishte masa më e përshtatshme. Referuar këtu edhe faktit se nëse do të flisnim për masa të tjera që mund të mos prishnin hetimin, që ka të bëjë me prezumimin e personit, Prokuroria dhe Gjykata e ka të pamundur të veprojë kur ka të bëjë me persona të zgjedhur.
Personat e zgjedhur nuk mund t’i pezullosh me vendim gjyqësore, për këtë arsye masa më e arsyeshme është ajo e arrestit me burg.
Drejtësia shqiptare po abuzon me masën e arrestit në burg që është masë ekstreme dhe nuk duhet përdorur në mënyrë intensive. Por për rastin konkret, kjo ishte masa më e përshtatshme. E njëjta vlen dhe për zonjën Ajola Xoxa.