Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar lidhur me deklaratat me tone të ashpra të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, ndaj punës së SPAK dhe GJKKO.
Përmes një reagimi zyrtar, KLP shprehet se të gjithë duhet të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, në mënyrë që të mos ketë ndikime të jashtme në dhënien e drejtësisë.
“Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë.“, shkruan KLP.
Sakaq, KLP shton se “Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent.”
REAGIM:
Në vijim të qëndrimeve të mëparshme për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë rithekson mbështetjen ndaj institucionit të prokurorisë për ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë. Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent.