Presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar një dekret presidencial i cili parashikon sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për shkak të urdhërarrestit të saj lidhur me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim Trump njoftoi se ai nënshkroi një dekret presidencial i cili parashikon sanksione ndaj zyrtarëve të GJNP-së.
Në deklaratën e tij në lidhje me dekretin, Trump mbrojti idenë se GJNP ka shënjestruar Amerikën dhe aleatët e saj të ngushtë si Izraeli “në mënyrë të pabazë dhe të paligjshme”.
Trump vuri në dukje se ata nuk pranojnë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJNP kundër Netanyahut, duke iu referuar krimeve të tij të luftës në Gaza.
“GJNP-ja pa bazë legjitime ka pretenduar juridiksion mbi personelin e SHBA-së dhe disa prej aleatëve të saj, përfshirë Izraelin dhe ka hapur hetime paraprake; ajo ka shpërdoruar autoritetin e saj duke lëshuar urdhër arresti të pabazë që shënjestrojnë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant. GJNP-ja nuk ka ndonjë juridiksion mbi SHBA-në ose Izraelin, për shkak se që të dyja vendet nuk janë palë në Statusin e Romës ose anëtare të GJNP-së”, deklaroi Trump.
Duke mbrojtur idenë se GJNP-ja ka “shënjestruar” SHBA-në dhe aleatët e saj të ngushtë si Izraeli, Trump tha se me dekretin e tij do të zbatohen sanksione ndaj zyrtarëve të këtij institucioni.
Dekreti në fjalë do të bllokojë zyrtarët e GJNP-së që të marrin viza amerikane dhe që ato të kryejnë transaksione financiare me SHBA-në.
Në nëntor të vitit të kaluar, GJNP-ja lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Netanyahu dhe ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës.
Zyrtarët amerikanë u shprehën se nuk e njihnin vendimin në fjalë dhe disa anëtarë republikanë të Kongresit sugjeruan vendosjen e sanksioneve ndaj GJNP-së.