Presidenti i SHBA-së, Donald Trump reagoi ndaj organizatave mediatike për të cilat thuhet se kanë marrë fonde nga disa institucione federale, transmeton Anadolu.
Trump bëri deklarata mbi këtë temë në llogarinë e tij në “Truth Social” pasi u shfaqën pretendime se organizata mediatike “Politico” ka marrë në kohët e fundit rreth 8 milionë dollarë pagesa nga agjenci të ndryshme federale.
Ai kritikoi mediat që dyshohet se kanë marrë fonde nga agjencitë federale. “Me sa duket miliarda dollarë janë vjedhur nga USAID dhe institucione të tjera ndërsa pjesa e madhe e këtyre kanë shkuar në institucione të rreme mediatike si ‘ryshfet’ për prodhimin e lajmeve që zbukuronin demokratët”, tha Trump.
Presidenti amerikan këtë situatë e cilësoi si “skandalin më të madh në histori” dhe shtoi se “demokratët nuk do të mund të shpëtojnë nga kjo”.
Në vend filluan debatet pasi miliarderi amerikan dhe drejtuesi i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), Elon Musk pretendoi se administrata demokrate e Joe Bidenit ka financuar disa institucione mediatike.
Duke reaguar ndaj pagesave që thuhet se i janë bërë Agjencisë së lajmeve Associated Press (AP) dhe “New York Times” (NYT), Musk pagesën e bërë ndaj AP-së e komentoi si një “humbje të parave të taksapaguesve”, ndërsa për pagesën e bërë ndaj NYT përdori shprehjen “NYT është një gazetë e financuar nga qeveria”.