Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj dhe ai i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” janë përfshirë në një përplasje në distancë me njëri-tjetrin duke hedhur akuza. Agron Shehaj akuzon Adriatik Lapajn se ka marrë para të pista, ndërsa ka publikuar edhe disa dokumente, që sipas tij tregojnë shërbimet që kreu i “Shqipëria Bëhet” i ka bërë një kompanie në hetim nga SPAK.
Sipas Shehajt, po kërkohen të çohen në Parlament njerëz që janë të kapur, ndërsa thekson se ky sistem e ka ngritur Lapajn në piedestal. “Ti ke qenë dhe je pjesë e këtij sistemi Adriatik. Unë jam si ata qindra mijëra shqiptarë që kanë vuajtur këtë shtet të korruptuar, këtë sistem të padrejtë, atë drejtësi të korruptuar ku ti ke ngrënë Adriatik. Kjo është diferenca midis teje dhe meje. Adriatik unë jam i pakapshëm”, tha Shehaj.
Por, për këto akuza reagoi Adriatik Lapaj, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale i quan mashtrime ato që ka publikuar Shehaj, duke thënë se nuk ka marrë para nga krimi për politikë, por kompania që ia ka publikuar i ka para borxh për shkak të përfaqësimit që i ka bërë si avokat.
“Në fakt, kompania në fjalë nuk është e sekuestruar nga Spak. Gënjeshtra jote e tretë! Administratori saj është nën hetim dhe është nën hetim për punë të veta që nuk lidhen as me funksionin e tij si administrator. Halli i vet! Shërbimi im si avokat është për kompaninë afro 2 vite para se administratori saj të merrej nën hetim. Kontrata është me kompaninë dhe jo për punët e Administratorit. Gënjeshtra jote e katërt! Kjo për të qenë korrekt, se unë dhe sot mund ta përfaqësoj pa problem atë kompani ose administratorin e saj edhe në Spak se kjo është puna ime. Përfaqësues ligjor! Avokat”, shkruan Lapaj.
Teksa e paralajmëron se do ta çojë në gjykatë, Lapaj i drejtohet duke i thënë “Ti që hyre në politikë pa të njohur askush e pas 8 viteve deputet bën revolucionarin duke më thënë mua që nuk kam punuar 1 ditë në shtet se unë jam sistemi që ty të paska nxirë jetën! Luftë kërkove, luftë do kesh! Dmth kur nuk pyes shefin tënd Saliun, ty do e shohësh rrugës çfarë të kam!”.
Kujtojmë që i pari që e nisi debatin mes tyre ishte themeluesi i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili në një video në “Facebook” tha se i shtrinte dorën Shehajt për të bashkëpunuar pavarësisht se atë e shihnin si biznesmen dhe nuk e ndiqnin njerëzit.
Agron Shehaj, ish-deputet i PD-së dhe tani kryetar i partia “Mundësia” u përgjigj duke thënë se Lapaj ishte pjesë e sistemit të gjyqtarëve të korruptuar dhe avokatëve sekserë që i kanë nxirë jetën shqiptarëve