Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan shprehu shqetësime për veprimet e mundshme të qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu pas lirimit të të burgosurve izraelitë, raporton Anadolu.
“Të dielën pata një takim në Doha me anëtarë të Byrosë Politike të Hamasit. Pala e Hamasit nuk ka asnjë hezitim në përmbushjen e kushteve të marrëveshjes së armëpushimit. Megjithatë, ka pyetje në mbarë botën se si do të sillet qeveria Netanyahu pas lirimit të të burgosurve izraelitë”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij egjiptian Badr Abdelatty në Ankara.
Fidan i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të marrë një qëndrim të unifikuar për të parandaluar Netanyahun që të rifillojë atë që ai e përshkroi si “gjenocid” për përfitime politike.
Ministri shprehu kundërshtim të fortë ndaj çdo përpjekjeje për të dëbuar palestinezët nga atdheu i tyre, duke iu referuar propozimit të presidentit amerikan Donald Trump.
Kryediplomati turk gjithashtu u shpreh se 15 të burgosur palestinezë, të cilët u liruan nga burgu izraelit dhe të cilët fituan viza nga Ambasada turke në Kajro, mbërritën në Türkiye.