Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet ndaj ish-shefit të Sektorit të Narkotikëve, Gazmir Preçi, e ka dërguar dosjen e tij në GJKKO.
SPAK e akuzon Preçin për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nga hetimet ka rezultuar se i pandehur Gazmir Preçi i ka marrë një shumë prej 10.000 euro shtetasit me iniciale B.T, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj.
Ai u arrestua mbrëmjen e 15 gushtit të vitit të kaluar, i cili edhe 3 vite më parë u vendos në “radarin e SPAK” për hetime, lidhur me lejimin e parcelave me kanabis. Aso kohe, Preçi ishte me shërbim në Mallakastër, ndërsa më pas u ngrit në detyrë dhe u bë shef i sektorit të Antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Durrësit.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve paraprake për procedimin penal nr.170 të vitit 2024, ka paraqitur më 03.02.2025 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për dërgimin në gjyq në ngarkim të të pandehurit:
Gazmir Preçi, punonjës i policisë së shtetit, ish shef i Sektorit të Narkotikëve në DVP Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Në përfundimin e hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Gazmir Preçi i ka kërkuar dhe marrë një shumë monetare në vlerën 10,000 (dhjete mijë) euro shtetasit B.T, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj.
Hetimet e këtij procedimi u kryen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
HETIMI NË VITIN 2021
4 vjet më parë, Gazmir Preçi, i cili atëherë mbante postin e shefit të Krimeve në Policinë e Mallakastrës u arrestua së bashku me 4 zyrtarë të tjerë të Policisë së Fierit, në kuadër të një hetimi për lejimin e kultivimit të kanabisit në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës. Preçi u vu në hetim për “Shpërdorim detyre” për lejimin e kultivimit të kanabisit.
Sipas dosjes, në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës, u evidentuan disa parcela të kultivuara me bimë narkotike. Në dosjen që u referua atëherë punonjësit e policisë ishin në hetim për shpërdorim detyre gjatë periudhës qershor-shtator 2021 duke lejuar, apo favorizuar veprimtarinë kriminale të disa shtetasve të arrestuar më parë nga Prokuroria e Rrethit Fier për kultivim të bimëve narkotike. Ndaj tij dhe 2 punonjësve të tjerë të policisë gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë “detyrim me paraqitje”.
E pikërisht dyshimet dhe problematikat në Mallakastër jo shumë vite më parë, nuk ndikuan që Gazmir Preçi të ngjitej në karrierë, duke “u shpërblyer” me post si shef i Antidrogës në Durrës. Hetimet u bënë në bashkëpunim në me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore fill pas denoncimit të pronarit të lokalit “Night”, një klub nate te Ura e Dajlanit.
Sipas denoncimit të tij, shefi i Antidrogës e kërcënonte se do i mbyllte biznesin me pretendimin se kishte të punësuar disa persona të pasiguruar, çka nuk është në kompetencën e tij për ta kontrolluar. Shuma prej 10 mijë eurosh u mor në një takim nën vëzhgimin e hetuesve mes pronarit të lokalit dhe Gazmir Preçit në një lagje të Tiranës, i cili ra në grackën e kolegëve sapo mori një pjesë të parave. Kryekomisari akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”.
Në një reagim ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, tha se operacioni ishte mesazhi është i qartë për policët që hiqen si padronë të qytetarëve dhe bizneseve. Ata do marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor!