Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar ditën e sotme SPAK-un, me pretendimin se nuk ka lejuar Fredi Belerin dhe Vangjel Dulen të takohen me kreun e PL, Ilir Meta, i cili ndodhet tek 313-ta i paraburgosur.
Lidhur me këto akuza, Prokuroria e Posaçme ka reaguar, duke u shprehur se deri më sot, deri në orën 15:15, Beleri dhe Dule nuk i janë drejtuar me asnjë kërkesë institucionit për të zhvilluar një vizitë me Ilir Metën, duke rrëzuar kështu pretendimet e Blushit.
“Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.”, argumenton SPAK.
Blushi, përmes një postimi në rrjete sociale, shkruan se Beleri dhe Dule u penguan ditën e sotme për të zhvilluar takim me Metën, duke e cilësuar një akt skandaloz.
“Në shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, SPAK ka penguar sot dhunshëm deputetin dhe kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë.
Në emër të Partisë së Lirisë, u bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe organizatave të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut, të reagojnë me forcë për të dënuar këtë akt skandaloz!”, shkruan Blushi.
Reagimi i plotë i SPAK:
Në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit.
Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.
Reagimi i Tedi Blushit:
Në shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, SPAK ka penguar sot dhunshëm deputetin dhe kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë.
Ligji e sanksionon qartë se institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga deputetët dhe eurodeputetët.
Por SPAK, i vetëshpallur mbi ligjin, shkel rëndë edhe të drejtat e njeriut, duke provuar botërisht aspektin kriminal të kësaj strukture, që funksionon vetëm si “veglë qorre” e Edi Ramës dhe “Rilindjes” dhe që si mision të vetëm ka izolimin në ekstrem, arrestimin, hetimin, përndjekjen dhe shantazhimin e drejtuesve të opozitës në funksion të axhendave elektorale, politike dhe personale të Shefit të Organizatës Mafioze që qeveris sot vendin.
Shkelja e rëndë e ligjit nga SPAK nuk mund të tolerohet.
Në emër të Partisë së Lirisë, u bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe organizatave të pavarura që mbrojnë të drejtat e njeriut, të reagojnë me forcë për të dënuar këtë akt skandaloz!