Zjarri që shpërtheu sot në garazhin e një pallati tetë katësh në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, la pas tre makina të djegura dhe katër persona të lënduar.
Siç duket edhe në foto dy prej tre makinave të djegura janë shkrumbuar tërësisht.
Burime për News 24 bënë me dije se një nënë me dy fëmijët e saj të mitur pësuan djegie, ndërsa një e moshuar u rrëzua nga shkallët kur ka tentuar të dalë nga pallati.
Bëhet me dije se nëna po merr ndihmë mjekësore në Repartin e Djegies, ndërsa të miturit po marrin trajtim te Pediatria. Gjendja e tyre raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Flakët e zjarrit përfshinë pasditen e sotme garazhin e pallatit tetë katësh në zonën e Komunës së Parisit.
Lidhur me zjarrin reagoi më herët Mbrojtja Civile, e cila bëri me dije se flakët e zjarrit janë vënë nën kontroll.
Gjithashtu Mbrojtja Civile njoftoi se banorët u evakuuan dhe nuk ka rrezik për njerëzit, ndërsa u raportua për 3 mjete të djegura.
Shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike.
Reagimi i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile:
Sipas raportimeve nga strukturat e Mbrojtjes Civile të Bashkisë Tiranë, zjarri në katin nëntokë të Kompleksit Kika në Komunën e Parisit është vënë nën kontroll nga 2 mjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë zjarrfikës.
Janë djegur 3 automjete të parkuara, banorët janë evakuuar dhe situata nuk paraqet rrezik për njerëzit. Ka ende prezencë tymi dhe paraprakisht dyshohet se shkaku është një shkëndijë elektrike.
Njoftimi i policisë:
Më datë 25.01.2025, rreth orës 18:00, tek Komuna e Parisit, tek Kika 1, ka rënë zjarr në garazhdin e një pallati 8-katësh.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë të cilët po bëjnë të mundur evakuimin e banorëve, ndërsa shërbimet zjarrfikëse po punojnë për fikjen e zjarrit.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.