VALENTINA MADANI/ Pakti mes socialistëve dhe demokratëve për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor duket se ka pësuar krisje pasi demokratët do të kushtëzojnë votën e tyre për ndryshimet e propozuara nga KQZ dhe mbështetur nga socialistët, me amendamentet që kanë dorëzuar në Kuvend.
Për opozitarët aksesi për t’u regjistruar dhe më pas lejuar të votojnë për shtetasit shqiptarë që kanë vetëm dokumentet e shteteve të huaj dhe jo ato shqiptare është më i rëndësishëm se çdo ndryshim tjetër.
“Ne e kemi prioritet dhe pa këtë ne nuk mbështesim propozimet. Duhet bërë çdo përpjekje për ta mundësuar. Ky është një kusht që qëndron mbi këtë tavolinë”, shprehet deputeti Oerd Bylykbashi.
Nga ana e tij socialisti Damian Gjiknuri deklaroi se kjo kërkesë e PDsë është e papranushme jo vetëm nga ana parimore, por dhe ajo teknike. Por Bylykbashi dhe Kaso e kundërshtojnë duke treguar opsione sesi mund teknikisht të lejohet regjistrimi i shtetasve shqiptarë me dokumente biometrike të huaja.
“Mjafton të hiqen kufizimet teknike, sepse u hoq kufizimi ligjor dhe kjo zgjidhet. Çdo histori tjetër është alibi për të mos bërë të mundur këtë”, tha Bylykbashi.
Por sekretari për Organizimin dhe Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, në një intervistë për mediet bëri të ditur se qeveria do të shtyjë vlefshmërinë e dokumenteve të skaduara vetëm për diasporën. Kërkesa u bë pak ditë më parë nga Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Gjiknuri theksoi se me opozitën është rënë dakord vetëm për tri elemente në Kodin Zgjedhor, duke hedhur poshtë propozimin e PD-së për votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit me dokumente biometrike të vendit ku jetojnë.
“Nuk do të pranojmë të votojnë njerëz me dokumente të huaja që nuk kanë asnjë mjet identifikimi shqiptar”, tha Gjiknuri. Sipas tij kërkesa e Partisë Demokratike është absurde.
“Lë vend për alibi kur ata të humbin zgjedhjet”, tha Gjiknuri. Një tjetër propozim i demokratëve është dhe ai për të lejuar të votojnë dhe shtetasit që iu ka skaduar vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit. Por ky propozim është pranuar nga shumica dhe qeveria sipas tyre shumë shpejtë do të nxjerrë një akt normativ për t’i dhënë akses kësaj kategorie të shqiptarëve që jetojnë jashtë.
Në komunikimin me gazetarët dy drejtuesit e PDsë, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso publikuan amendamentet e PD-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke kërkuar që të mundësohet e drejta e votës edhe për të ata emigrantë shqiptarë, të cilëve u kanë skaduar dokumentet e identifikimit, apo që as nuk kanë një dokument biometrik.
“Nëse ka dhjetëra probleme që lidhen me votimin e diasporës, kryeproblemi i tyre është vlefshmëria e dokumenteve të shtetasve. Për ata që kanë dhe i kanë skaduar, për ata që nuk janë pajisur kurrë me një dokument shqiptar dhe për ata që për një arsye apo një tjetër, nuk disponojnë një dokument shqiptar por kanë një dokument të një shteti të huaj”, tha Ivi Kaso, sekretar për çështjet zgjedhore në PD.
Nënkryetari i PD, tha se ky është kushti i PD-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor përballë draftit të PS që kërkon që vlefshmëria për kartat dhe pasaportat e skaduara të jetë vetëm për emigrantët.
“Për shkak se kjo është një çështje thelbësore kushtetuese parimore, politike, jo interes elektoral, sa na takon ne ky është një kusht që qëndron mbi tavolinën e Parlamentit”, tha Oerd Bylykbashi. Sipas Partisë Demokratike këto amendamente, garantojnë që e drejta e votës t’u jepet të gjithë shqiptarëve jashtë vendit që duan të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
/Gazeta Panorama