Me vendim të Këshillit të Ministrave, është miratuar që 2.5 miliardë lekë t’i shtohen buxhetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me organizimin e votimeve parlamentare të datës 11 maj 2025.
Vendimi, i cili është publikuar në “Fletoren Zyrtare”, parashikon se 2 460 000 000 lekë do i shkojnë kategorisë “Shpenzime korrente”, ndërsa 40 milionë lekë zërit “Shpënzime kapitale” në programin buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.
V E N D I M PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2025, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE PËR KUVEND TË DATËS 11 MAJ 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikёs 3, tё nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, i shtohet fondi prej 2 500 000 000 (dy miliardë e pesëqind milionë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 maj 2025, i cili detajohet, si më poshtë vijon:
– 2 460 000 000 (dy miliardë e katërqind e gjashtëdhjetë milionë) lekë, në zërin “Shpenzime korrente”, në programin buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”;
– 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, në zërin “Shpenzime kapitale”, në programin buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.
2. Efekti financiar, i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi për zgjedhjet e përgjithshme, miratuar për vitin 2025.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.