Dy të rinj, të moshës 24 dhe 25 vjeç, janë vetëdorëzuar pranë Policisë së Shkodrës pasi ishin të shpallur në kërkim që prej qershorit të vitit të kaluar për plagosje me sende të forta ndaj një shtetasi.
Në pranga ranë të rinjtë Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani, të cilët me datë 3 qershor 2024, në rrugën “Popej” të Shkodrës, u konfliktuan me një person për vendin e parkimit të automjeteve, gjë që u bë shkak që ata të sulmonin me sende të forta shtetasin Vladimir Bruçi, 62 vjeç.
Ata akuzohen për 3 veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. Për këto vepra penale Gjykata e Shkodrës ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”.
Sakaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
DVP Shkodër
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit S. T., 25 vjeç dhe I. S., 24 vjeç, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë përfshirë në konfliktin e ndodhur për vendparkimin e automjeteve, më datë 03.06.2024, në rrugën “Pogej”, gjatë të cilit u godit fizikisht dhe me sende të forta, shtetasi V. B.
Shtetasit S. T. dhe I. S. janë vetëdorëzuar mesditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.