Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi, mbrëmjen e 12 janarit, në zonën e Pallatit me Shigjeta, shumë pranë banesës së tij në kryeqytet.
Sipas gazetarit Igli Çelmet, pas këqyrjes së shumë kamerave të sigurisë, ka rezultuar se autori është nisur nga një lagje e Kombinatit për në Selitë e vogël, aty ku edhe ekzekutoi 57-vjeçarin Bujar Nasufi. Nga hetimet ka rezultuar e ai e ka pritur mbi 15 minuta Bujar Nasufin, i fshehur në një rrugicë pranë banesës së 57-vjeçarit.
Policia dyshon se autori e njihte shumë mirë zonën, pasi në çdo lëvizje që ka bërë nuk ka përdorur rrugën kryesore, por vetëm rrugica alternative.
Edhe kur është larguar me motor, autori i dyshuar ka përdorur një rrugicë shumë pranë vendit ku kreu ekzekutimi dhe më pas ka dalë në kodër Sharrë, ku dogji motorin, shumë pranë zonës nga ku u nis, Kombinati. Grupi hetimor vijon ende me këqyrjen e kamerave të sigurisë.
Ndërkohë pak ditë më parë janë rimarrë në pyetje sërish familjarët e të ndjerit, ku janë pyetur lidhur me konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur viktima. Policia po i heton të gjitha pistat, por pista kryesore vijon të jetë ajo e konflikteve për motive pronësie.