Një 35-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Tiranës, pasi theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, e caktuar nga Gjykata, për vjedhje.
Blutë njoftojnë se shtetasi me iniciale S. T., u arrestua gjatë kontrolleve rutinë të policisë, ku rezultoi se nuk ishte i pajisur me leje drejtimi, ndërsa gjatë kontrollit fizik i është gjetur një sasi lënde e dyshuar cannabis sativa.
35 vjeçari , banues në Tiranë, akuzohet për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë kontrolleve parandaluese në terren, kanë konstatuar një automjet me xhama të zinj dhe i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të tij, me qëllim kryerjen e verifikimeve.
Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas nuk ishte i pajisur me leje drejtimi, ndërsa gjatë kontrollit fizik i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga verifikimet e kryera më tej, rezultoi se ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që i kishte caktuar Gjykata, për veprën penale “Vjedhja”.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasin S. T., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.