Koordinatorit i PD për rajonin e Tiranës, Klevis Balliu, ka bërë një deklaratë përmes së cilës denoncon sekuestrimin nga policia, të bazës materiale që PD përdor për tubimet dhe protesta.
Balliu thotë se një gjë e tillë është antiligjore, teksa thekson se protestat janë drejtë universale që parashikohen dhe mbrohen me konventa dhe ligje kombëtare e ndërkombëtare.
“Ligji parashikon qartë se Policia njoftohet për tubimin, vendin, orën dhe qëllimin e saj. Ajo nuk jep leje, por vetëm monitoron dhe siguron rendin”, tha Balliu.
Balliu thotë se Partia Demokratike dënon me forcë dhe e neverit këtë polici që sipas tij “fut duart në rraqet e opozitës pasi i ka ngritur duart përballë krimit”.
Balliu njoftoi se do të ketë padi penale për shkelje të ligjit dhe mohim të së drejtës për tubim dhe protestë ndaj shefit të komisariatit nr. 1 Rober Losha dhe ndaj ministrit Brendshëm, Ervin Hoxha.
Deklaratë e koordinatorit të PD për rajonin e Tiranës, Klevis Balliu:
Kushtetuta dhe ligji nuk lënë vend për interpretime sa i takon të drejtës së protestës dhe tubimit. Protesta është e drejtë universale që parashikohet dhe mbrohet me konventa dhe ligje kombëtare e ndërkombëtare. Ligji parashikon qartë se Policia njoftohet për tubimin, vendin, orën dhe qëllimin e saj. Ajo nuk jep leje, por vetëm monitoron dhe siguron rendin.
Për terroristët e kuq ligji, Kushtetuta dhe konventat nuk kanë rëndësi. Ata nuk janë policë të ligjit, por të urdhrit. Pasi përndoqën opozitën dhe dështuan me turp, tani kanë vendosur të bllokojnë bazën materiale të Partisë Demokratike.
Dje policët dhe shefi i Komisariatit 1, Robert Losha, kanë marrë urdhër nga ai që urdhërohet nga bandat, narkoministri Hoxha, që të sekuestrojnë bazën materiale të Partisë Demokratike, e cila përdoret në protestat apo takime të kryetarit të opozitës.
Narkopolicët që i tremb hija e narkobanditëve, kanë filluar operacione publicitare për të ndaluar foninë, mikrofonat, pultin e regjisë të takimeve të Sali Berishës dhe opozitës.
Deri këtu e ka poshtëruar veten policia e të birit të Kristaqit dhe nipit të Enverit.
Partia Demokratike e dënon me forcë dhe e neverit këtë polici ‘që fut duart’ në rraqet e opozitës pasi i ka ngritur duart përballë krimit. Për shefin e komisariatit nr. 1 Rober Losha dhe për ministrin e Brendshëm, do të ketë padi penale për shkelje të ligjit dhe mohim të së drejtës për tubim dhe protestë.
Përdhunuesit serial të Kushtetutës, po nga Kushtetuta dhe ligji që shkelen do të dënohen. Në Librin e Zi të shkelësve të ligjit, emrat e tyre do të shënohen me të kuqe, në mënyrë që nesër të marrin përgjigjen, jo të hakmarrjes, por të rivendosjes së ligjit. NarkoProdës i bëjmë thirrje të mos e provokojë opozitën dhe të mos e bëjë qesharake armën e Policisë.
Ky akt antiligjor që dhunon të drejtën e protestës dhe ligjin për tubimet, tregon qartë porosinë që ka marrë narkopolica në prag të zgjedhjeve të 11 majit. Çdo gjë kundër opozitës dhe Sali Berishës! Edhe ne do t’u përgjigjemi me çdo gjë, me çdo mjet, me çdo mënyrë.