Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në takimin me aktivistët dhe urbanistët e qytetit të Pogradecit u shpreh se nëse qytetarët nuk i dalin zot këtij qyteti, kullat që po ndërtohen do të vazhdojnë gjer në Tushemisht, dhe kur të mbarojë ky territor, do i kthehen territorit tjetër, nga Pogradeci në Lin.
“Armand Lilo që përflitet se është autori i këtyre kullave, e paraqesin si krushqi të Fatmir Xhafës. Nuk e di nëse kanë lidhje me krushqinë e tyre, por një gjë është e sigurtë. Kanë lidhje me mafiozin Fatmir, kanë lidhje me klanin e drogës”- u shpreh Berisha.
Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se, kontrollon çdo leje ndërtimi, si dhe përcakton se kush do ti marrë lejet, si do të bëhet shpronësimi i tokës etj. Sipas Berishës, paratë për kullat që ndërtohen në Shqipërisë vijnë nga baronët shqiptarë të drogës që ndodhen në Dubai dhe në Amerikën Latine.
FJALA E PLOTË:
Së pari, ju përshëndes të gjithëve ju të pranishëm në këtë tryezë, më e veçanta e mbledhur në historinë e këtij qyteti, ndoshta. Përshëndes të gjithë qytetarët e Pogradecit, në Pogradec dhe kudo që ndodhen. Them më e veçanta dhe e tillë është, sepse ne jemi këtu për të ngritur zërin për shpëtimin e Pogradecit.
Pogradeci ndodhet para një agresioni të identitetit të tij. Në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale. Këta banorë nga Lini në Tushemisht, në breza dhe gjenerata, me punën, mundin, investimet e tyre, i janë përshtatur liqenit dhe kanë krijuar një harmoni. Kanë krijuar një harmoni, të themi natyrore, njerëzore.
Dhe ky zhvillim i harmonishëm ka sjell Pogradecin në majat e trashëgimisë së njerëzimit, ka bërë që liqeni dhe brigjet të jenë një pasuri e njerëzimit. Nuk ka titull më të lartë. Ky është titulli më suprem. Kjo është dekorata më e lartë që qytetarët e një qyteti dhe mjedisi i tyre që mund të marrin. Ky është titulli më atraktiv që ky qytet i bekuar mund të tërheqë nga e gjithë bota.
Ohri është i famshëm për bukurinë, faunën dhe të gjitha. Por ama vendosja e tij nën mbrojtjen e UNESCO-s si trashëgimi e madhe e njerëzimit përbën një ftesë për qytetarë nga mbarë bota për tu njohur, për ta vizituar, për të kaluar një kohë.
Nuk është e rastit. Pogradecarët nga gjithë banorët e tjerë të brigjeve dhe zonave turistike, kanë qenë shërbëtorët më të mirë të trashëgimisë së tyre. Këta qytetarë kanë meritën e madhe të mikpritjes, të shndërrimit të këtij qyteti në një trevë turistike, mikpritëse edhe në kohën kur nuk kishte hotele dhe lehtësira të tjera, përveç shtëpive të tyre.
Por me të gjitha këto, këta bënë që qyteti i tyre të vlerësohet nga UNESCO bashkë me liqenin dhe ti jepet nderimi më i lartë.
Tani qytetit i del bajlozi i zi. Liqeni nuk ka bajloz të zi, i del si kuçedër, i del mafia dhe do të ja lidhë sytë, do të ja shkatërrojë brigjet, të ja prishë identitetin. Faktikisht do ta transfigurojë dhe e tëra vetëm për qëllime pasurimi të saj.
Por mendja më e mbrapshtë mbi tokë nuk mund të bëhet, se e transformuar nga mafia, nga vjedhjet se sa të imagjinosh kullat buzë këtij liqeni.
Ky bukurinë e ka për tu parë, për tu soditur, apo për tu bllokuar me kulla. U garantoj se ato kulla që fillojnë aty, nëse qytetarët nuk i dalin zot këtij qyteti, do të vazhdojnë gjer në Tushemisht. Dhe kur të mbarojë ky territor, do i kthehen territorit tjetër, nga Pogradeci në Lin.
Ju nuk mund të imagjinoni se cilat janë sasitë kolosale gjigante, të narkoeurove të trafikantëve shqiptare.
Këtu u tha se janë 120 studio arkitekturore botërore. Dhe natyrisht kjo është risi pozitive, por problemi është ky, se prapa projekteve të tyre janë organizatat kriminale më të rrezikshme të Europës dhe botës. Janë ato organizata që me fuqinë e tyre kanë shtrirë përdhe monedhën e BE-së dhe dollarin amerikan, i kanë zhvlerësuar në mënyrë të pamëshirë 30-40 përqind të tyre, duke ndëshkuar në këtë mënyrë, në mënyrë apo një tjetër, çdo qytetar shqiptar që jeton me ndershmëri dhe djersën e tij.
Vetëm njëri prej tyre ka transferuar nga bandat e Dubait në bankat Europiane, 3 miliardë euro. Që të gjithë këta kanë një shtyllë dhe ky është Edi Rama.
Armand Lilo që përflitet se është autori i këtyre kullave, e paraqesin si krushqi të Fatmir Xhafës. Nuk e di nëse kanë lidhje me krushqinë e tyre, por një gjë është e sigurtë. Kanë lidhje me mafiozin Fatmir, kanë lidhje me klanin e drogës, Fatmir, Fatzi Xhafa. Dhe të mos mendojë kush kurrë se, do të guxonte as Armandi dhe as Fatziu që të imagjinojnë një kullë apo një ndërtim këtu, pa padrinon, pa Edi Ramën. Jo absolutisht.
Sot dihet miq, nuk duhet të bëhemi naiv, dihet se ky është kryeministri i vetëm në botë i cili firmos për çdo leje ndërtimi në territorin e këtij vendi, pa le më në zonat turistike.
Pra, Pogradecin kush po e sulmon. Po e sulmojnë dy klanet mafioze më të fuqishme të pushtetit, klani Rama dhe klani Xhafaj. Edhe njëherë nuk kam asnjë dijeni se, ky Lilo ka lidhje gjaku me krushqinë e Fatmir Xhafës. Fare s’më intereson. Më intereson që firmat e zeza të Fatmir Xhafës janë në mbështetje duke i dhënë tokë këtij në Tiranë etj., etj. Një seri veprimesh. Kjo është e vërteta.
Pogradeci ndodhet para një agresioni mafioz që do ti zhdukë identitetin e tij.
UNESCO-ja që vlerësoi Ohrin, qytetin, liqenin i vlerësoi me identitetin që ky qytet i bekuar trashëgoi brez pas brezi, gjeneratë pas gjenerate. Dhe tani dalin mafioz dhe i ndërtojnë kulla. I zënë sytë.
Makabër është projekti i Linit. Lini që nga një anë themi vendbanimi më i vjetër i Europës, tani do ta kthejnë në Linin e betonit.
Nuk kanë mëshirë, mafia nuk ka atdhe, nuk ka moral, nuk njeh asnjë kufi. Ndodh dhe ndodhin këto.
E tha bukur Genti. Unë personalisht nuk jam kundër kullave, e kam thënë dhe e them. Në ato qytete ku kam qenë, shkoja në ato zona ku ishin kullat dhe i shikoja me kënaqësi, por kurrë nuk firmosa për asnjë. Asnjëherë. Pse sepse nëse do të ndërtosh, shko gjej territorin, përcakto të gjitha kushtet urbanistike që ka, se të ndërtosh një kullë siç ndodh në Tiranë në mes të banesave, të fusë aty 20 mijë banorë, i lë pa oksigjen ata në radhë të parë, përveç probleme të tjera që krijon. Dhe nuk firmosëm asnjë.
E nuk do të firmos asnjë nëse nuk do të zgjidhni ta zëmë një zonë, diku dhe ta zhvillojmë, të bëjmë një zhvillim të ri nga alfa. Dakord. Por këtu asnjë. Këtu gjej një copë tokë e ngul një kullë. Por e dini ju, këtu në mënyrë absolute Edi Rama personalisht dikton kush do marrë lejen, si do të bëjë shpronësimin, me kë do bisedojë për shpronësimin, ska rëndësi se nuk ka paret. Paratë i kanë baronët e Dubait dhe Amerikës Latine, shqiptarë. Ti do japësh emrin, se ti je biznesmen dhe do të vendosësh emrin tënd. Na duhesh. Paratë vijnë me kontejner. Këta që u dalin zot nuk kanë asnjë faturë bankare për to.
Thashë, është tryeza më e veçantë që të arrijë Pogradeci, të arrijë të mendojë të shkatërrojë identitetin e qytetit, i cili ka specifikën më të madhe se çdo qytet tjetër. Asnjë qytet tjetër nuk ka një liqen, si Pogradeci. Jo.
E ka Shkodra, por e ka në drejtim tjetër. Kurse qyteti, bregu dhe gjoli janë një vazhdimësi e tërë.
UNESCO ju them unë ju, tërhiqet. Le ti bëjmë ne peticion, por tërhiqet. Bota është e madhe. Dhe këta duan të tërhiqet UNESCO, këta nuk duan që UNESCO ta ketë Pogradecin. Ju garantoj unë ju, sikundër nuk duan ta ketë Butrintin. Duan ti kenë vetë mafia. Duan të jenë miliardierë. Nuk ngopen kurrë.
Ndaj dhe duhet ti bëjmë thirrje qytetarëve, të mbrojnë këtë qytet, të bashkohen pavarësisht çfarëdolloj bindje, ti dalin zot qytetit që e trashëguan si një mrekulli natyrore dhe tani do të ua grabisë mafia.
Çfarë do forme peticione, sigurisht ne do ti thërrasim ne ata në parlament, nuk ka diskutim. Por nëse ka person antikulturë, është ajo që drejton kulturën sot. Nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën ajo. Ajo solli ligjin për dëmtimin e zonave. Njeriu që le trashëgimi të saj ligjin e shkatërrimit të zonave të mbrojtura. Por prap ne do të bëjmë punën tonë në parlament, me këta Neronë që veprojnë në këtë mënyrë.
Qytetarët janë të ftuar të thonë fjalën e tyre, pa asnjë lloj dallimi, por ata që vijnë e bëjnë këtë e shkonfigurojnë Pogradecin. Është jashtëzakonisht e dhimbshme.
Para 1 jave po bisedoja me një bashkëpunëtor timin dhe ra puna e Pogradecit dhe i them, është qyteti që të huaj preferojë të blejnë shtëpi dhe unë kam patur 3-4 miq të mi që më kanë thënë se po blejnë shtëpi në Pogradec.
Pogradeci është shumë i bukur. Por të bjerësh kullat e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës, krim i madh. Ndaj dhe fjala e qytetarëve duhet të jetë fjala e parë.
Ne do të bëjmë gjithçka që të bashkojmë qytetarët në mbrojtje të këtij qyteti, që është një mrekulli e vërtetë njerëzore, natyrore.