BESARTA BASHA/ Ndërsa duhet të përfundonte në vitin 2024, procesi i trajtimit dhe vlerësimit të kërkesave për kompensim prone do të kërkojë minimalisht edhe tre vite kohë.
Është ky afati që qeveria vendosi një ditë më parë, në pamundësi për ta kryer këtë proces brenda afateve që vetë ajo vendosi në krye të herës. E njëjta gjë vlen edhe me kompensimet, të cilat zotohet t’i përmbyllë deri në fundin e vitit 2028.
Problemet e kthimit dhe kompensimit të pronave janë kthyer në një gangrenë shumëvjeçare në Shqipëri, por vitet e fundit, iniciuar edhe nga rekomandimet e Strasburgut, janë bërë disa ndryshime ligjore për ta përmbyllur sa më parë të jetë e mundur.
Fatura totale përllogaritet në vlerën e 116 miliardë lekëve. Sipas statistikave, në dhjetë vitet e fundit janë paguar më pak se 10 për qind e kësaj shume. Por nga ana tjetër janë intensifikuar përpjekjet e qeverisë për të përshpejtuar hapin. Për pesë mijë pronarë, Agjencia e Trajtimit të Pronave zeroi detyrimet në fundin e 2024-ës, ndërsa në listë janë edhe 21 mijë të tjerë që presin të kompensohen.
DY VENDIMET
Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi dy vendime në lidhje me çështjen e pronave. Të dyja për çështje afati, të trajtimit të dosjeve si dhe kompensimit si proces. Ishte ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ai që komunikoi vendimet në fjalë bashkë me shpjegimet përkatëse.
“Sapo kaluam në mbledhjen e Këshillit të Ministrave një ndryshim në Ligjin 133 të vitit 2015 për përfundimin e proceseve të pronës dhe kompensimin e ishpronarëve. Janë dy ndryshime që lidhen me shtyrjen e afatit për ndryshimin, vlerësimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve. Sa i takon shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve të patrajtuara në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, afati sipas ligjit mbaronte në dhjetor 2024, por ne kemi vendosur që të ndryshojmë ligjin nr. 133 të vitit 2015, duke e çuar afatin e vlerësimit dhe shqyrtimit të dosjeve të patrajtuara nga ATP deri në dhjetor të vitit 2027. Ndërsa, afati i kompensimit në vlerë të ish-pronarëve do të shtyhet deri në dhjetor 2028”,-deklaroi Manja, duke dhënë më tepër detaje mbi planin e shpenzimeve për këtë zë, i cili këtë vit nuk ka ndryshim nga i kaluari, por në vijim fondi do të rritet ndjeshëm.
“Janë dy ndryshime shumë të rëndësishme, sepse, e para, i jep mundësinë ATP-së që të shprehet për mundësinë e trajtimit të 7110 dosjeve të patrajtuara të ish-pronarëve dhe deri në fund të 2028-ës një numër i konsiderueshëm i ish-pronarëve të kompensohen edhe në vlerë financiare. Siç jeni në dijeni nga akti i miratimit të buxhetit për vitin 2025 në afatmesëm kemi parashikuar rreth tre miliardë lekë deri në vitin 2025 për kompensimin e ishpronarëve, në vitin 2026-2027 është parashikuar 5,3 miliardë lekë dhe për vitin 2028 që ësh-të viti i fundit masa do të jetë 7,63 miliardë lekë”,-nënvizoi ministri.