Përgjimet ambientale nga ana e policisë në banesën e familjes Hasaj në fshatin Dragoç të Shkodrës, çoi në zbardhjen e detajeve rreth vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj, krim i ndodhur mbrëmjen e 4 Janarit në Shkodër.
Gjatë përgjimeve dy vëllezërit, Klisman dhe Arjon Hasaj kanë folur për vrasjen e realizuar nga ky i fundit. Gjithashtu, në një moment del se autori i dyshuar, Arjon Hasaj është penduar që kishte fshehur armën në pyll dhe ka shkuar ta marrë duke e groposur në oborrin e shtëpisë për ta pasur për siguri.
Pas këtyre përgjimeve policia arrestoi dy vëllezërit Hasaj si autor të dyshuar të vrasjes së 33-vjeçarit, ndërsa janë marrë në pyetje edhe familjarë të tjerë të viktimës dhe autorit të dyshuar.
“Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës”, njoftoi policia.
Arjon Hasaj, i cili akuzohet se ka ekzekutuar 33-vjeçarin Ramazan Mataj mbrëmjen e 4 Janarit në fshatin Dragoç të Shkodrës, ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar edhe arsyet që e çuan drejt këtij akti.
Në dëshminë e dhënë, 29-vjeçari ka pranuar se është ai personi që ka vrarë me armë zjarri Ramazan Matajn duke marrë përsipër autorësinë e krimit të rëndë.
Arjon Hasaj ka deklaruar se viktima ishte në një lidhje me motrën e tij prej 6 vitesh dhe i kishte prishur dy martesa. Madje, i riu ka pretenduar se Ramazan Mataj i kishte shpërndarë motrës së tij edhe video intime që kishin pasur së bashku.
29-vjeçari është shprehur se “ai është personi që divorcoi dy herë motrën tonë, madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën”, ndërsa tregoi se e motra nuk jeton prej kohësh në banesën e tyre, por në Shkodër.
Arjon Hasaj ka rrëfyer se i ngriti kurth viktimvs duke i shkruar në Instagram me llogari false me emrin e një vajze dhe i la takim, ku edhe e ekzekutoi me breshëri plumbash.
“Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës”, tha i riu, duke deklaruar se armën e ka pasur në shtëpi prej disa kohësh.
Arjon Hasaj: “Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjërë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë.
Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër.
Ndërsa i vëllai, Klisman Hasaj, i cili u arrestua si i dyshuar për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe fshehjen e armës së krimit, nuk ka pranuar asnjë akuzë ndaj tij duke thënë se nuk ka qenë në dijeni të veprimeve të vëllait dhe faktit që do kryente vrasje.
“Nuk kam patur asnjë dijeni për vrasjen që do kryente vëllai dhe nuk kam lidhje me atë ngjarje”, mësohet të ketë deklaruar Klisman Hasaj, vëllai i autorit.