Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim në GJKKO, 8 persona të cilët merrnin ryshfet kundrejt dhënies së banesave sociale në Durrës.
Bëhet fjalë për 8 të pandehurit:
- Gëzim Sylaj
- Vasil Karasaliu
- Viola Mema
- Behare Luzi
- Enxhi Çelaj
- Gazmend Panxha
- Shyqyri Dema
- Sokol Sylaj
Ata akuzohen për veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Sakaq, i pandehuri Gëzim Sylaj akuzohet gjithashtu dhe për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Sipas njoftimit të SPAK, nga hetimet e kryera ka rezultuar se të pandehurit Sylaj, Karasaliu, Mema, Luzi dhe Çelaj, prezantoheshin si punonjës të administratës shtetërore, të cilët kishin dhe mundësi vendimmarrjeje në dhënien e banesave sociale të zonës së Spitallës së Durrësit. Ata ngritën skemën që kundrejt shumave monetare, të interesuarit do të mund të bëhej bllokimi i banesave sociale përmes “dhënies së kafeve” ndaj të tretëve.
“Personat e interesuari për banesë sociale, përveç pagesës paraprake të shumës monetare do vijonin t’iu dorëzonin të pandehurve dokumentacionin për vijimin e procedurës standarde të përfitimit të banesës sociale. Më pas, sipas tyre, personave të interesuar do tu dërgohej një SMS konfirmimi nga ana e Bashkisë Durrës, periudhë kur sipas tyre do bëhej shpallja e fituesve dhe në banesë do futeshin pas disa muajsh. Pas këtij momenti, përfituesi i banesës sociale detyrohej që të paguante një qera minimale për disa vite, shumë e cila do të vlerësohej në bazë të sipërfaqes për m2 që do përfitonte.”, sqaron SPAK.
Kështu, të pandehurit janë përfshirë në 4 episode, duke kërkuar dhe duke marrë ryshfet ndaj disa subjekteve (agjentit në mbulim, si dhe ndaj 3 subjektëve të tjerë). Ryshfeti varionte nga 5 mijë deri në 10 mijë euro për të mundësuar përfitimin e banesave sociale në Durrës për të interesuarit.
Sakaq, Panxha, Dema dhe Sylaj, u kanë premtuar të pandehurve Sylaj, Karasaliu, Mema, Luzi dhe Çelajt shumën mondetare mbi 50.000 lekë, si dhe u kanë siguruar atyre se janë në gjendje të ndikojnë në marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike për të përfituar banesa sociale.
NJOFTIM
SPAK dërgon në gjykim 8 të pandehur për korrupsion me banesat sociale në Durrës
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet dhe ka dërguar në gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, procedimin penal me Nr. 11 të vitit 2023, në ngarkim të 8 të pandehurve:
Gezim Sylaj, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Vasil Karasaliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj (në episodin e Agjentit në mbulim), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;
ii. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj (në episodin e subjekteve Gazmend Panxha dhe Shyqyri Dema), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;
iii. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në dëm të subjektit Sokol Sylaj, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i katërt i Kodit Penal.
iv. “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal.
Vasil Karasaliu, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, (në episodin e Agjentit në mbulim), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal.
3. Viola Mema, e akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Vsail Karasaliu, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj (në episodin e Agjentit në mbulim), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;
ii. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, (në episodin e subjekteve Gazmend Panxha dhe Shyqyri Dema), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal.
Behare Luzi, e akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Vsail Karasaliu, Viola Mema dhe Enxhi Çelaj (në episodin e Agjentit në mbulim), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;
ii. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Viola Mema dhe Enxhi Çelaj, (në episodin e subjekteve Gazmend Panxha dhe Shyqyri Dema), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal.
Enxhi Çelaj, e akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Vsail Karasaliu, Viola Mema dhe Behare Luzi, (në episodin e Agjentit në mbulim), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;
ii. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim me të pandehurit Gezim Sylaj, Viola Mema dhe Behare Luzi (në episodin e subjekteve Gazmend Panxha dhe Shyqyri Dema), të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal.
6. Ndërsa 3(tre) të pandehurit e tjerë Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Sokol Sylaj, të akuzuar për konsumimin e elementëve të veprës penale:
i. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Sipas akteve të administruara për këtë procedim penal, ndër të tjera, edhe informacioni paraprak i depozituar nga redaksia e emisionit investigativ “Fiks Fare” në televizionin kombëtar “Top Channel”, jemi vënë në dijeni se një bashkëpunëtor i këtij emisioni gjatë muajit Janar 2023, ka mundur të realizojë disa takime me të pandehurin Vasil Karasaliu (punonjës pranë Ujësjellës Kanalizime në Durrës), i cili, i ka premtuar përfitimin e një banese sociale në zonën e Spitallës Durrës, kundrejt dhënies si shpërblim të shumës prej 15,000 euro.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar dhe provuar se të pandehurit Gezim Sylaj, Vasil Karasliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj kishin ngritur skemën e përfitimeve të paligjshme, duke u prezantuar si punonjës me funksione drejtuese në administratën shtetërore, të cilët kishin dhe mundësi vendimmarrjeje në dhënien e banesave sociale që ndodheshin në zonën e Spitallës, Durrës, personave të interesuar, kundrejt shumave monetare, që sipas tyre do shërbenin për bllokimin e banesës përmes dhënies së “kafeve” ndaj të tretëve.
Personat e interesuari për banesë sociale, përveç pagesës paraprake të shumës monetare do vijonin t’iu dorëzonin të pandehurve dokumentacionin për vijimin e procedurës standarde të përfitimit të banesës sociale. Më pas, sipas tyre, personave të interesuar do tu dërgohej një SMS konfirmimi nga ana e Bashkisë Durrës, periudhë kur sipas tyre do bëhej shpallja e fituesve dhe në banesë do futeshin pas disa muajsh. Pas këtij momenti, përfituesi i banesës sociale detyrohej që të paguante një qera minimale për disa vite, shumë e cila do të vlerësohej në bazë të sipërfaqes për m2 që do përfitonte.
Të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mes datave 01.02.2023-01.03.2023 kanë kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt respektivisht në 4 episode, ndaj disa subjekteve (agjentit në mbulim, si dhe ndaj tre subjekteve të tjerë), shuma monetare që variojnë nga 5 000 deri në 10 000 euro, tek të cilët kanë siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike për të mundësuar përfitimin e një banese sociale në Durrës.
Ndërsa, të pandehurit e tjerë, Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Tahir Sylaj, provohet se u kanë premtuar dhe dhënë drejtpërdrejt respektivisht të pandehurve; Gezim Sylaj, Vasil Karasliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, shumat monetare (në vlerën mbi 50.000 lekë), të cilët u kanë premtuar ose u kanë siguruar atyre se janë në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, për të përftuar banesa sociale.
Ndodhur para situatës kur të pandehurit Gazmend Panxha, Shyqyri Dema dhe Tahir Sylaj, nuk kanë lidhur më parë marrëveshje bashkëpunimi, kryerja e veprimeve të mësipërme, i ngarkon me përgjegjësi penale sa i përket premtimit dhe dhënies drejtpërdrejt të shumave monetare në vlerën mbi 50.000 lekë, të pandehurve Gezim Sylaj, Vasil Karasliu, Viola Mema, Behare Luzi dhe Enxhi Çelaj, në këmbim të përftimit të banesave sociale duke konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Falenderojmë median për raportimin e rasteve të korrupsionit dhe nxisim qytetarët të denoncojnë cdo rast që është në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.