Me vendim të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë konfiskuar pasuritë e Alket Hatija, i njohur si “Zoti i drogës”.
Në pronësi të shtetit kanë kaluar këto pasuri:
- 1 sipërfaqe toke truall
- 1 garazh
- 1 apartament në Durrës
- 1 apartament në Kavajë
Hatija, ka qenë aktiv në aktivitetin e drogës në periudhën 2003-2004, kur ai trafikonte nga Shqipëria drejt Italisë sasi të mëha narkotikësh. Transporti bëhej me bashkëpunëtorët e tij përmes automjeteve të transportit ndërkombëtar, e për çdo rast kishte 10 kg heroinë.
Ai vuajti në Shqipëri 16 vite burg për trafik droge, të cilat nuk njihen nga shteti italian, për shkak se nuk ka marrëveshje mes dy shteteve.
Alket Hatija në vitin 2021 u arrestua me qëllim ekstradimin e tij në Itali. Në shtetin fqinj ai është dënuar me 20 vite heqje lirie.
Në qershor të vitit 2021, Hatija në një intervistë për News24, e ka quajtur vendimin e autoriteteve italiane si ekstrem, pasi ka shlyer 16 vite burg në Shqipëri.
“Në momentin që unë kërkoja ekstradim, por Prokuroria thoshte se nuk do ekstradoheni, gjykimi që do bëhet këtu vlen edhe për në Itali. Gjykimi mbaroj në vitin 2010. Jam dënuar për 16 vjet. Unë i pranova të gjitha, të vërteta edhe jo të vërteta për shkak të gjykimit të shkurtuar. Vendimi i formës së prerë u mor më maj nga Apeli. Gjithsej kam bërë 10 vite burg.
Kam zbritur në plazh herët, shoh dy makina civilësh. Kur dolën nga makina thashë çfarë ka? Do vish me ne më thanë. Po shkova me ta. Në makinë ju thashë çfarë kam bërë në jetë i kam pranuar dhe jam gjykuar. Po më thoni çfarë kam bërë. Më thanë se je dënuar nga gjykata në Itali. I thashë që e kam bërë burgun, 10 vite e gjysmë.
Për mua ka qenë një vendim ekstrem. Nuk e prisja kurrë një gjë të tillë. Jam dënuar 16 vjet. Dënimin e kam kryer, nuk mund të dënohem dy herë për të njëjtën çështje.
Por drejtësia lë për të dëshiruar mesa shoh…Familja ime qenka vetëm në dorë të të madhit Zot. Ky është turp i drejtësisë shqiptare. Më bënë kurban, që fëmijët e tyre të jetojnë në komoditet”, ka thënë ai.
NJOFTIM
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Durrës, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pronave të Konfiskuara dhe Sekuestruara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Konfiskimi”, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme të cilat ky shtetas i kishte regjistruar në emër të vet dhe të familjarëve të tij, konkretisht: 1 sipërfaqe toke truall, 1 garazh dhe 1 apartament në Durrës, si dhe 1 apartament në Kavajë.
Shtetasi Alket Hatija, gjatë periudhës 2003-2004, ka kryer veprimtaritë kriminale të mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike heroinë, nga Shqipëria në Itali. Ai ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, me bashkëpunëtorët e tij, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge (rreth 10 kg heroinë për çdo rast).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Hatija u arrestua në 2021 me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Ai ka vuajtur 16 vite burg në Shqipëri për trafik droge, por nuk i njihen në Itali, pasi nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve.