Ekipi i Sigurisë Kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump ka zhvilluar diskutime me Shtëpinë e Bardhë dhe udhëheqësit ukrainas, si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Por, bëhet e ditur se këshilltarët e Trumpit dhe të emëruarit e kabinetit, të cilët kanë një sërë pikëpamjesh për Ukrainën, nuk kanë paraqitur ende një plan konceptual apo specifik të paqes në Kiev.
Megjithatë, ai ka dërguar sinjale të përziera në komentet e tij publike, duke i kërkuar Rusisë të bëjë paqe, por gjithashtu duke sugjeruar se ai mund të zvogëlojë ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën ose të rivendosë kufizime në përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave brenda Rusisë.
Pavarësisht premtimeve të Trumpit për t’i dhënë fund luftës shpejt, mbetet e paqartë nëse ai mund ta bindë presidentin rus Vladimir Putin që të ndalojë luftimet.
Gjithashtu nuk është e qartë nëse ekipi i republikanit ka komunikuar me qeverinë e Putinit për Ukrainën, dhe nëse po, çfarë është përcjellë nga secila palë, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Kur u pyet në “Meet the Press” nëse ai po punonte në mënyrë aktive për t’i dhënë fund luftës, Trump tha “Po”, por nuk pranoi të thoshte nëse kishte folur me Putinin.
“Nuk dua të them asgjë për këtë, sepse nuk dua të bëj asgjë që mund të pengojë negociatat”, tha Trump.
Siç raportohet, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Biden, Jake Sullivan, ka zhvilluar disa biseda me pasardhësin e tij të emëruar, Mike Waltz.
Ata janë fokusuar në ndarjen e informacionit përkatës, por nuk kanë hulumtuar strategji për përfundimin e luftës ose sigurimin e një armëpushimi.
Një përfitim i këtyre diskutimeve është se ato do të sigurojnë që ekipi i tranzicionit i Trumpit nuk do të befasohet nga ndonjë veprim i administratës Biden në Ukrainë përpara se presidenti i zgjedhur të inaugurohet në janar.
Edhe pse ekipi i Trumpit po mundohet të pauzojë luftimet në Ukrainë, gjë që do të hapte rrugën për bisedimet e paqes, sfidat mbeten të frikshme ndërsa lufta i afrohet kufirit tre-vjeçar.
I pyetur nëse Walz dhe të tjerët po punojnë me administratën Biden për një plan armëpushimi, Brian Hughes tha: “Kongresmeni Waltz dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan janë në kontakt për shumë çështje. Qëllimi është që bota të kuptojë se ekziston një dëshirë që koha e tranzicionit të shihet si një Amerikë e fortë, që punon për paqen dhe stabilitetin në mbarë botën, derisa presidenti i zgjedhur Trump të betohet”.
Ndryshe, ekipi i Trumpit nuk e ka informuar ende qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për ndonjë plan të mundshëm.
Por takimet dhe bisedat e fundit midis Zelenskyt, Trumpit dhe këshilltarëve të tyre kanë qenë konstruktive, duke përfshirë një takim ballë për ballë në Paris të ndërmjetësuar nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Të dielën, Trump shkroi në rrjete sociale se Zelensky dhe Ukraina ishin gati për një marrëveshje paqeje dhe se ishte koha që Putin “të vepronte”. /Telegrafi/