Gazetarja Klodiana Lala, teksa ka folur për aplikacionin “Matrix”, i cili është ç’koduar së fundmi nga autoritetet ndërkombëtare, ku tha se ky aplikacion është shumë më kompleks se aplikacionet Encrochat dhe Sky ECC.
Në emisionin “Kjo Javë” në News24, Lala tha se janë dashur plot 3 vjet për ta zbërthyer ‘Matrix” dhe nga përgjimi i 3 muajve të fundit janë evidentuar 2.3 mln mesazhe.
Gazetarja u shpreh se jo të gjithë ata që kanë përdorur aplikacionin Matrix do të thotë se kanë kryer veprimtari kriminale, ndërsa shoi se ka qenë Nuredin Dumani ai që ka përmendur për herë të parë aplikacionin Matrix dhe ka pasur komunikime me Suel Çelën.
“Kam pyetur Europol dhe më kanë konfirmuar që shqipja është një nga 33 gjuhët e përdorura. Së pari do të ndahen mesazhet sipas gjuhëve, më pas do të shihet përmbajtja e tyre. Faza e tretë është dërgimi me letër porosi, pra Shqipëria kërkon të dhëna, për komunikimet. I dyshuari për një seri krimesh Nuredin Dumani, i cili është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, ka përmendur për herë të parë këtë aplikacionin Matrix dhe e ka pranuar që e ka përdorur dhe ka pasur komunikime me Suel Çelën. Besoj se personi i parë që do të kërkohen të dhëna janë ato të Dumanit, çfarë përmbajnë komunikimet, a përputhen me Matrix, a i ka rrëfyer të gjitha krimet?”, tha Lala.
Ajo theksoi se momentalisht nuk jemi në gjendje të kuptojmë se si është përdorur ky aplikacion, apo si janë regjistruar personat që e kanë përdorur, me emrin e tyre apo me emra të tjerë.