Një 55 vjeçar është arrestuar nga uniformat blu në Tiranë, pasi përdori foton e një të mituri në internet për të mbledhur para, me pretendimin se këto lekë do shërbenin për kurimin e fëmijës, por në fakt e gjitha ishte një skemë mashtrimi.
Në pranga ka rënë shtetasi A.K., 55 vjeç, ndërsa procedohen në gjendje të lirë dy shtetas të tjerë, S.K., 42 vjeç dhe B.I., 47 vjeç.
55 vjeçari, hapi një profil fals në Instagram dhe përdori foto të marra nga interneti të një fëmijë të mitur të sëmurë. Ai kërkonte lekë nga përdoruesit e Instagramit, me pretendimin se këto para do përdoreshin për kurimin e të miturit.
Nga veprimet paraprake janë dokumentuar me prova ligjore 117 transaksione bankare që janë kryer nga shtetas shqiptarë, të cilët janë mashtruar nga 55 vjeçari.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fraud”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale.
Ndalohet një 55-vjeçar i cili me anë të mashtrimit kompjuterik, ka përfituar shuma parash me pretendimin për të ndihmuar një të mitur të sëmurë, për kurimin e tij. Procedohen penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, kanë ndaluar shtetasin në kërkim A. K., 55 vjeç, banues në Përmet. Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. K., 42 vjeç dhe B. I., 47 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shtetasi A. K., me anë të mashtrimit kompjuterik të kryer nga një profil fals në rrjetin social Instagram, duke përdorur fotografi të marra në internet, të një shtetasi të mitur të sëmurë, ka përfituar shuma parash nga shtetas të ndryshëm, me pretendimin se do të përdoreshin për kurimin e të miturit.
Nga veprimet paraprake janë dokumentuar me prova ligjore 117 transaksione bankare që janë kryer nga shtetas shqiptarë, të cilët janë mashtruar nga profili fals në Instagram.
Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.