Gjykata ka lënë në qeli vëllezërit Shkëlqim dhe Florjan Duka, të akuzur për vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi, i cili u qëllua me plumb në kokë mbrëmjen e 13 nëntorit në sheshpushimin e pallatit të tij.
Oficeri i policisë gjyqësore dhe i vëllai, Florjan Duka, kanë mohuar akuzat ndaj tyre se kanë eliminuar biznesmenin e ndërtimit, që sipas policisë ka ndodhur pas një përplasje për një truall.
“Nuk jemi ne vrasësit”, kanë deklaruar vëllezërit para togave të zeza që caktuan masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre.
Zbardhja e vrasjes
Sipas hetimeve, efektivi Shkëlqim Duka, i cili njihet si qitës i mirë në radhët e uniformave blu, ka tentuar ta ekzekutojë Eduart Reçi edhe në datën 8 Nëntor. Efektivi 48 vjeçar raportohet se ka qëlluar në drejtim të biznesmenit, por plumbi nuk ka shënjestruar objektivin.
Mësohet se oficeri i OPGJ-së në komisariatin nr.2, Shkëlqim Duka e ka ruajtur biznesmenin e ndërtimit për 5 ditë me radhë për ta eliminuar. Ky detaj, sipas burimeve nga grupi hetimor, është vënë re pas kqyrjes së pamjeve filmike pranë vendit ku ndodhi edhe vrasja e Eduart Reçit.
Nga analizimi i pamjeve filmike ka rezultuar se autori i dyshuar Shkëlqim Dukaj ka qëndruar në pritje të Eduart Reçit, përkatësisht nga data 8 nëntor deri në 13 nëntor, përveç datës 11 për shkak se ka qenë në detyrë.
Oficeri i policisë e ka pritur Eduart Reçin nga ora 19:00 deri në 23:00 derisa mbrëmjen e 13 nëntorit, ku në orën 22:40 minuta e qëlloi me plumb në kokë duke i marrë jetën. Në videot e policisë, oficeri i policisë shihej i pozicionuar në një shkallë metalike të një hoteli ngjitur më lokalin e tij ku kishte pamje vizuale nga oborri i pallatit të Eduart Reçit.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë policia ka parë një person i cili pozicionohet në pozicion qitje me një armë në dukje me dylbi. Pas arrestimit të tij dhe të vëllait, Florjan Duka policia ka ushtuar kontrolle në banesat dhe lokalin e tyre ku ka gjetur prova që i implikojnë, por ende nuk ka gjetur armën e krimit.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Sh. D., 48 vjeç, (oficer Policie) dhe F. D., 45 vjeç, (vëllezër),të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,”– njoftoi policia.
Gjatë kontrolleve të ushtruara më 23 Nëntor në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.