Ka ndërruar jetë mituri 14 vjeç i cili ishte në gjendje kritike shëndetësore, nga konflikti me thika para shkollës 9 vjeçare “Fan Noli”.
Policia e shtetit bën me dije se në këtë konflikt është përfshirë dhe një bashkëmoshatar i tretë, teksa gjithashtu raporton se është shoqëruar një prej autorëve.
I plagosuri tjetër ndodhet në spital, në gjendje të stabilizuar pasi i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Ngjarja ndodhi mesditën e sotme, rreth orës 13:10, pasi kishte mbaruar ora e gjashtë e mësimit.
Gazetari Igli Çelmeta raporton se viktima, L.C., kishte marrë plagë të shumta në bark.
Sakaq, grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.