Është ankoruar në portin e Durrësit anija ‘Moliva’, e cila dyshohet se transporton mbetje të dëmshme.
Më pas pritet që të kryhet procedura e shkarkimit të 102 kontejnerëve në kalatë dhe transportimi i tyre jashtë hapësirave portuale, në një zonë të konsideruar të sigurt nga autoritetet.
Sipas disa burimeve nga porti dhe kapitaneria ” është parashikuar qe 102 kontejnerët me mbetjet e rrezikshme do transportohen në një zonë në Porto Romano, ku do të mbahen të mbikëqyrura 24 orë siç ka kërkuar edhe Prokuroria e Durrësit.
Pas vendosjes së tyre në këtë hapësirë të sigurt, pritet të procedohet me marrjen e kampionëve nga secili kontejnerë dhe dërgimin e tyre në një laborator të specializuar.
Anija me mbetjet e refuzuara nga autoritetet tajlandeze mbërriti në Durrës më 28 tetor. Prej më shumë se 10 ditësh anija ndodhej në radën e portit.
Kapiteneria e Portit pohoi se janë në dijeni të vendimit të marrë por po presin shkresën zyrtare nga Autoriteti Portual me email për të vendosur hyrjen e anijes në Portin e Durrësit.