Avokati Genc Gjokutaj, i cili dorëzoi ankimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbajti një prononcim për media, duke u shprehur se nuk ka asnjë kriter bazues për këtë masë të caktuar nga SPAK dhe GJKKO-ja.
Gjokutaj e cilësoi vendimin e Gjykatës së Posaçme si të tipit thashethem.
Përsa i përket akuzës të mosdeklarimit të pasurisë, avokati tha se nuk mund të ndajë informacione pasi është çështje në investigim.
“Qëndrimi jonë është kundër kërkesës së SPAK dhe gjykatës që caktoi këtë masë. Kjo masë nuk ka asnjë kriter të përgjithshëm apo të veçante për tu vendosur. Edhe nga pikëpamja e dyshimit të arsyeshëm që duhet të bazohet në prova, mund ta them që ky është një vendim i tipit thashethem.
Në te treja procedimet, që këta i kanë bashkuar bashkë, edhe tek pjesa e mosdeklarimit të pasurisë situata është krejt tjetër dhe në momentin që jemi duke investiguar këtë pjesë nuk mund të bëjmë të ditur më shumë”, tha avokati.