EMISIONI “VETTING”
Por cilat janë shkaqet që sollën degradimin e sheshit “Elez Isufi?
Sipas inxhinierit të ndërtimit, Ilir Krosi, projekti i vitit 2016 ka qenë i pastudiuar mirë dhe cilësia e punimeve dhe materialeve nuk ka qenë brenda standardeve. Përgjegjësi për këtë ka jo vetëm firma, e cila ka kryer punimet me materiale jo cilësore, por edhe Bashkia dhe institucionet përgjegjëse që merren me kontrollin e këtyre.
“Projekt i dobët, cilësia e dobët e punimeve, cilësia e dobët e materialeve, kontrolli i dobët i cilësisë së punimeve, kontrolli i dobët i fazave të marrjes në dorë të punimeve, certifikimi i materialeve realisht. Janë një kompleks rrethanash dhe faktorësh që kanë sjellë dështim të këtij projekti”, tha inxhinier Ilir Krosi.
Madje banorët ngrenë një tjetër shqetësim, teksa shprehen se në momentin që është bërë dëgjesa për këtë investim, ky projekt është kundërshtuar nga ata, por Bashkia nuk ka marrë parasysh pretendimet e tyre. Peshkopia është një qytet i ftohtë, temperaturat gjatë dimrit arrijnë në minus dhe për pasojë ka prani të akullit në të shumtën e rasteve në sheshin “Elez Isufi” ku edhe është kryer investimi.
Qytetari: “E shikon këtë që është bërë këtu? E kam kundërshtuar. Nuk vihen këto pllaka këtu, temperaturat shkojnë deri në minus 20 gradë celsius, po ta çimentosh nuk futet asnjë pikë uji, atje mbetet lagështira. Dëbora shkrin një javë deri në dhjetë ditë mbrapa në bulevard, akull.”
Qytetarët pretendojnë se i kanë bërë sugjerime kryetarit të Bashkisë Dibër dhe kryeinxhinierit të këtij institucioni ta bënin bulevardin me asfalt ose tulla, por kërkesa e tyre ka rënë në vesh të “shurdhët”.
Qytetari: “I kam bërë sugjerime kryetarit të bashkisë dhe inxhinierit që ka bashkia mos i hidhni llaç në mes të pllakave por ngriheni bëheni njësh, një masiv dhe nuk e depërton ujin, nuk e thith ujin. Mund ta bënin me asfalt ose tulla mozaik dhe dilte tamam por nuk na dëgjoi.”
Shkeljet e garës së tenderit për përzgjedhjen e kompanisë fituese
Projekti që nisi në vitin 2016 dhe përfundoi para një viti është financuar nga buxheti i shtetit dhe është zbatuar nga Bashkia e Dibrës. Lidhja e kontratës është bërë më 29 gusht të vitit 2016 dhe koha për përfundimin e punimeve ishte 75 ditë.
Por si u zhvillua gara?
Më 20 maj 2016 Bashkia e Dibrës hapi thirrjen për tenderin “Rinovim i infrastrukturës së bulevardit “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rrugës së “Muzeut”” me fond limit 92 milionë lekë ose 671 mijë euro.
Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se punimet për tenderin me vlerën rreth 700 mijë euro nuk kanë përfunduar në kohën që ishte projektuar, duke shkelur afatet.
Por kush ishte kryebashkiaku që miratoi këtë projekt?
Në atë kohë Bashkia Dibër drejtohej nga ish-kryebashkiaku Shukri Xhelili, i cili përveç faturave të shtrenjta për Bulevardin ‘Elez Isufi’, mbahet mënd edhe për video – seksuale të xhiruar në zyrën e tij. Skandali u publikua në mediat shqiptare në maj 2016, ku Xhelili shfaqej duke i ofruar një vend pune një vajze në këmbim të favoreve seksuale. Pas transmetimit të këtij video skandali, Xhelili u shkarkua menjëherë nga kryeministri Edi Rama.
Fillimisht Xhelili u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë Dibër për “korrupsion pasiv” me 2 vjet e 8 muaj burg, por më pas Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda e ndryshoi akuzën dhe i uli dënimin me 1 vit burg, si edhe iu hoq e drejta për të ushtrimin e funksioneve publike për 5 vite.
Në vitin 2016 oferta për shtrimin me pllaka guri të bulevardit “Elez Isufi” ishte 635 mijë euro dhe fitoi kompania me ofertë më të madhe nga kompanitë e tjera.
Në garën për të fituar tenderin morën pjesë 7 kompani mes tyre edhe ALKO-IMPEX General Construction me administrator Arbër Abazin.
“ALKO-IMPEX General Construction” do të shpallej fitues me ofertë 635 mijë euro.
Por kompanitë që morën pjesë në tender bënë ankesa pasi sipas tyre rezulton se gara për rinovimin e Bulevardit “Elez Isufi” u fitua nga oferta më e lartë, ndërsa ata kishin ofruar ofertë më të ulët.
Ka qenë konsorciumi i kompanive “Shëndelli” shpk & “Boshnjaku B” Shpk, & “Caushi” Shpk & “Pesë vëllezërit” Shpk, me përfaqësues Bashkim Dullën që kanë bërë ankesë për të marrë vesh arsyet se pse nuk është publikuar njoftimi i fituesit.
Sipas përfaqësuesit të këtyre kompanive, ata kanë paraqitur ofertën e vetme të vlefshme, pasi i plotëson të gjitha kriteret dhe është e mbështetur edhe në vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Për shkak të dyshimeve për manipulimin e garës, ky bashkim operatorësh ka deklaruar se do të njoftonte zyrën e Antikorrupsionit pranë Kryeministrisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri si edhe mediat në lidhje me këtë çështje.
Në mbyllje të deklaratës, përfaqësuesi i kompanisë Dulla priste përgjigje brenda afateve dhe shpresonte që institucioni të mos shkelte ligjin.
VIJON..