I riu Denis Tahiri, i cili është shpallur tashmë në kërkim nga blutë, akuzohet të jetë një prej autorëve të atentatit në Don Bosko, nga e cila mbetën të plagosur shtetasit Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.
Denis Tahiri, 23 vjeç, banues në Kamëz, janë të dhënat e vetme që policia ka publikuar lidhur me autorin e atentatit së 3 shtatorit në kryeqytet.
Me datë 22 tetor, është zhvilluar seancë gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, në mungesë të 23 vjeçarit.
Sipas policisë, provat kanë implikuar të riun si një prej autorëve të atentatit, ndaj gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Tahiri akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuara nga nenet 79, dh/ 22/ 25, dhe 278/1 të Kodit Penal.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë
Në vijim të njoftimit për ngjarjen e datës 03.09.2024, në një lokal afër xhamisë në Don Bosko, ku u plagosën me armë zjarri shtetasit K. E. dhe R. M., ju informojmë si më poshtë:
Për hetimin e kësaj ngjarjeje kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer në vijimësi të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruara nga prokurori.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, analizimit, vlerësimit të rrethanave dhe fakteve, dhe provave shkresore, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit D. T., 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuara nga nenet 79, dh/ 22/ 25, dhe 278/1 të Kodit Penal.
Vazhdojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar.
NGJARJA
Nga atentati në Don Bosko mbetën të lënduar 45-vjeçari Kastriot Elezi dhe 22-vjeçari Ronaldo Metushi.
Dy personat kanë qenë duke pirë kafe në verandën e një lokali, kur tre autorët janë shfaqur aty pranë me një makinë, kanë qëlluar dhe janë larguar me shpejtësi.
Dyshohet se është qëlluar me armë të pajisur me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar të shtënat. Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj tha se në vendngjarje janë sekuestruar 7 gëzhoja.
Nga të shtënat, njëri është plagosur në këmbë, ndërsa tjetri në shpatull.
Nga hetimet paraprake, rezulton se Elezi është person me precedent kriminal. Ai kishte vetëm pak muaj që ishte kthyer në Shqipëri, pasi kishte përfunduar dënimin në Itali për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Elezi dyshohet se ka qenë shënjestra e atentatit.
DREJTORI I POLICISE TIRANE
Drejtori i policisë së Tiranës tha se kanë pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe kjo do t’i ndihmojë për të hedhur dritë mbi zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë.
“Mendohet se kanë qenë tre persona, përfshirë edhe drejtuesin e mjetit.
Jemi duke analizuar këtë çështje, njëri prej tyre ka precedent penal, por ne jemi duke hetuar për begraundin që këta të plagosur kanë dhe për të studiuar konfliktet që këta mund të kenë, që do jenë edhe pistat e hetimit
Autorët kanë qëlluar nga automjeti. Ne kemi pamjet filmike për mënyrën si ka ndodhur ngjarja dhe kemi një ide me ngjarjen Është probabilitet që të kenë qenë të maskuar”, tha Tonin Vocaj.
LEXONI EDHE: