Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka dalë nga seanca gjyqësore e GJKKO-së, ku u njoh me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, ka dhënë një prononcim për media, ku nuk kanë munguar tonet ironike.
Kryemadhi u shpreh se në sallën gjyqësore ka parë 3 “muskutjerët e drejtësisë”, referuar prokurorëve të posaçëm, Altin Dumani, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja.
Po kështu, gjyqtar i çështjes është Erjon Çela, informacion ky i dalë nga vetë Monika Kryemadhi.
Nga ana tjetër, ish-bashkëshortja e Ilir Metës, tha se kanë kërkuar njohjen me provat e dosjes hetimore, që Kryemadhi i cilësoi si “thashetheme të ngritura nga drejtësia”.
Sipas saj, gjyqtari Çela ka dhënë afat vetëm 3 orë për njohjen e të pandehurve me provat e listuara në dosjen e SPAK-ut.
Nga ana tjetër, e pyetur se si ishte gjendja e Metës, e nëse ai ka ruajtur qetësinë në sallë, Kryemadhi tha: Nuk flas farë për zotin Meta. Sot bënë një provokim për mua dhe familjen time. Ata e dinë marrëdhënien time dhe qëllimisht në kanë futur në një sallë
Monika Kryemadhi:
Po ju shpjegoj me detaje se çfarë ndodhi. Sapo pashë 3 muskutjerët e drejtësisë së Edi Ramës, Altin Dumani, Sotir Kllapi dhe Arben Krajën, dhe gjyqtarin Erjon Çela. Ishte eksperienca ime e parë në një sallë gjyqi. Pati një mashtrim të drejtpërdrejtë nga Prokurori Arben Kraja ku tha që Ilir Meta është marrë në mënyrë normale dhe ka pranuar aktin kur ju të gjithë e dini dhe jeni dëshmitarë që Ilir Meta u rrëmbye nga një grup banditësh, pa asnjë lloj mjet identifikimi, me kallashnikovë, etj.
E dyta, kërkuam që të njiheshim me provat e thashethemeve, të cilat ata kanë ngritur. Bujaria e gjyqtarit të drejtësisë së kastruar të Edi Ramës, na la vetëm 3 orë kohë, për të parë dosjet.
Kështu që, për 3 orë ne duhet të shikojmë të gjitha provat. Ndoshta gjyqtari e di që s’ka asnjë provë dhe mendon që 3 orë do të jenë shumë pak. I kam kërkuar dhe gjyqtarit dhe prokurorit, sepse dosjen që të gjithë ju e keni shpërndarë nëpër media, pra atë, po themi material, që ju keni, që në fakt, qoftë Prokuroria, apo qoftë Gjykata, kanë shkelur nenin 279 të Kodit të Procedurës Penale për nxjerrjen e sekretit hetimor.
Pra, dua të theksoj, për ju, të gjithë gazetarët, dhe të gjithë qytetarët, që kjo godina këtu mbrapa, nuk është drejtësia e re, por kjo godina këtu mbrapa është departamenti i marrëdhënieve të publikut dhe të propagandës dhe të mashtrimit të Edi Ramës.