Me mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në Luksemburg, Shqipëria hapi klasterin e parë të kapitujve të negociatave. Në konferencën e përbashkët të mbajtur pas kësaj konference, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se, synimi i Shqipërisë është që të përmbyllë procesin e integrimit brenda kësaj dekade. Rama, nuk ka kursyer as sot kritikat ndaj BE-së, lidhur me zvarritjen e procesit të anëtarësimit duke thënë se, Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë këto 10 vite.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë
“Kur hyra në këto korridore një dekadë më parë, flokët e mi kishin shumë më tepër ngjyra. Dhjetë vite kanë qenë një rrugë e gjatë./// Është synimi ynë, ta përmbyllim këtë proces brenda kësaj dekade dhe të jemi gati të trokasim në dyert e Këshillit të Evropës si shtet anëtar. Ta bëjmë Shqipërinë si vend anëtar në mënyrën si funksionon dhe kjo është gjëja më e rëndësishme pasi nuk duam që Shqipëria të largohet dhe të marrë çantat dhe të vijë në Bruksel, duam që BE të jetë në Shqipëri”.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Sijarto, vendi i të cilit po kryeson momentalisht me BE-në tha se, e konsiderojnë politikën e zgjerimit si një ndër politikat më të rëndësishme, megjithatë ai tha se, kjo politikë ka humbur kredibilitetin kohën e fundit, duke pasur parasysh faktin se, koha mesatare e pritjes së shteteve kandidate të Ballkanit Perëndimor, tani ka tejkaluar 15 vjet dhe kjo, siç u shpreh ai, është e pahijshme.
Peter Sijarto, Ministër i Jashtëm i Hungarisë
“Ne e kuptojmë që Bashkimi Evropian po humb konkurrencën, po hum peshën e saj kur bëhet fjalë për politikën globale apo ekonominë. Prandaj, e kuptojmë që, Bashkimi Evropian ka nevojë për freski.për energji të re dhe shtysë të re dhe duke qenë fqinjë të drejtpërdrejtë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke njohur mirë rajonin, ne e dimë se, kjo freski, kjo energji e re për të cilën kemi nevojë, do të vjen definitivisht nga Ballkani Perëndimor”.
Ndërkaq, eurokomesari për zgjerim, Oliver Varhelyi deklaroi se zgjerimi i BE-së, nuk është vetëm një përparësi politike, por edhe shtyn para zhvillimin institucional të vendeve.
Oliver Varhelyi, eurokomesar për zgjerim
“Shqipëria kurrë nuk është stepur të bëjë gjithçka të nevojshme në rrugëtimin drejt BE dhe shpresoj që kjo të vazhdojë pasi kjo nënkupton që në të gjitha instrumentet Shqipëria mund ta përgatisë veten për t’u bërë anëtare në fund të mandatit të ardhshëm. Kemi lajme të mira jemi në nivele të 60% të zbatimit deri tani, çka nënkupon që jo vetëm që kemi arritur sukses për zbatimin, por efektivisht programi është mbi atë çfarë duhet të kemi në fakt 7 miliardë për investime që mund të nxisin një 20 miliardësh tjetër investimesh në rajon në ekonomi”.
Kapitulli i parë i negociatave që nisën sot është kapitulli i të vlerave themelore i njohur si “bazat”, ku përfshihen funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria, kriteret ekonomike, prokurimi publik, statistikat dhe kontrolli financiar.
Teuta Buçi /SHENJA/