Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u bëri thirrje mbështetësve të forcës politike që drejton të bëhen pjesë e protestës së tëë hënës kundër qeverisë Rama.
Gjatë një takimi me zonjat e Partisë së Lirisë në kuadër të muajit që i dedikohet luftës kundër kancerit të gjirit, Meta theksoi se Shqipëria vuan sot nga kanceri i korrupsionit e të gjithë duhet të ngrihen në 7 tetor kundër qeverisë.
Ilir Meta: Të luftojmë me shpejtësi sa më të madhe se koha e ndryshimit ka kaluar me kohë, tani është koha për përmbysje dhe pjesëmarrje sa më të madhe në protestën ë 7 tetorit.
Mes arsyeve për të protestuar, Meta veçoi situatën në sektorin e shëndetësisë.
Ilir Meta: Çuditërisht në mënyrë skandaloze, buxheti për Onkologjikun, edhe pse rastet tumorale rriten, vjen duke u ulur, në raport me buxhetin e përgjithshëm. Janë mbi 6 mijë raste të reja me sëmundje tumorale që regjistrohen çdo vit në vend. Pesha në buxhet për trajtimin e sëmundjeve tumorale për vitin 2020 ishte 11.7% dhe në 2 vitet e tjera ra gati në 7.5%, pra në vend që të rritej, përkundrazi ajo pësoi një rënie të dukshme.
Prej momentit të largimit nga presidenca dhe marrjes së drejtimit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta është bërë pjesë e çdo proteste të Partisë Demokratike kundër qeverisë./vizionplus