E ëma e Melisa Trëndafilit, 31-vjeçares që u dogj me benzinë nga bashkëshorti Bledar Trëndafili, ka rrëfyer se si mori fund arratisja e dhëndrit të saj.
Në një lidhje telefonike në emisionin “Me zemër të hapur” të moderatores Evis Ahmeti, Ana tregoi se Bledar Trëndafili kishte shkuar tek banesa e motrës së tij ditën që u vendos në pranga dhe pas marrjes së informacioneve, ajo njoftoi policinë që rrinte roje tek shtëpia e saj për të mbrojtur Melisën.
Nëna e 31-vjeçares u shpreh se Bledari kishte shkuar në spitalin ku ishte shtruar Melisa dhe iu ishte prezantuar rojes si vëllai i saj për t’u futur brenda.
Ana: “Kishte shkuar tek familja e së motrës, ndoshta për tu strehuar, nuk e di. Na lajmëruan njerëz që na njohin dhe na thonë që është tek shtëpia duke shkallmuar derën.
Unë kisha policinë tek shtëpia se na ka shoqëruar këto dy javë dhe u thashë zotërinë e keni në Korçë mund ta kapni. Nëse nuk e kapni i bie ta kapim vetë. E arrestuan tek lagjja e shtëpisë së motrës së vet.
Numri i vetëm që mbante mend ishte i vajzës, e merrte ne telefon dhe e lokalizonim. Por merrte nga numra të qytetarëve dhe nuk e lokalizonim dot, gjithashtu kishte ndryshuar pamje. Ditën që dolëm nga spitali kishte shkuar në spitalin e djegies i kishte thënë rojës “Jam vëllai i Melisës a mund ta takoj?”. I kishte thënë roja që kanë dalë nga spitali, bëri gabim fatal. Lajmërova policinë por derisa shkoi policia ishte larguar. Fola dhe personalisht atë ditë me të, tha ‘Ana kam ardhur të takoj Melisën, por jeni larguar?”. E gënjeva i thashë që “Jo, do të zbres të të marr”. Por e kuptoi dhe u largua. Po e mbaja me fjalë sa të shkonte policia por u largua. Ia kemi referuar polcisë edhe vendin ku flinte, i gjeti djali rrobat që ndërronte.
Me ne e kishte inatin sepse nuk e pranuam, dhe pse strehuam vajzën në shtëpi.
Vajza është në gjendje të rënduar, me psikiatër. Plagët janë në sipërfaqe të madhe, mjekohet çdo ditë. Shpenzimet ishin të papërballueshme ndaj dolëm nga spitali, fëmijët e saj po qëndronin në hotele.
Ishim në rrezik. Kur morëm vesh që ai ishte në Tiranë i sollëm fëmijët në Korçë. Dy fëmijët e vegjël i fsheha në fshat, vajzën time e çova tek një shoqe, kurse djalin tek një shok. U shpërbë familja dhe Melisa u rëndua më tepër.
E morëm vesh se ishte në Tiranë sepse merrte në telefon, kërcënonte i thoshte “sa mirë ta bëra, të njëjtën gjë do të bëj me familjarët e tu do ju djeg të gjallë të gjithëve”. Ajo vetëm rëndohej, numrin se hiqnim dot sepse ishte e vetmja mënyrë për ta lokalizuar.
Sa mora vesh që ishte në Korçë mblodha fëmijët urgjent, imagjinoni çfarë traume.