Reshjet e mëdha të shiut kanë krijuar situatë alarmante në Vlorë ku janë shkaktuan dëme të mëdha në shtëpi dhe biznese, të cilat u përmbytën në disa zona të qytetit. Sipas Bashkisë së Vlorës 33 familje me 66 persona u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në një konvikt arsimor.
Punonjësit bashkiakë të ndihmuar nga trupat të ushtrisë po punojnë në terren për largimin e ujit në disa lagje banimi midis zonave afër Universitetit, përgjatë zonës bregdetare të Skelës si dhe në zonën e Qendërs Historike.
Çarja e një kanali të ujërave të larta dhe prujet e mëdha të përrenjve sollën probleme në këtë zonë ku niveli i ujit arriti mbi gjysmë metri.
Banorët po tërheqin ujin nga shtëpitë dhe bizneset ndërsa mjete të ushtrisë po tërheqin me pompa ujin që ka bllokuar 4 kryqëzime rrugore në qytetin e Vlorës.
Si pasojë e rrëshqitjeve të dherave është bllokuar edhe segmenti Vlorë-Kaninë-Orikum pjese e By- Passit të Vlorës, punimet e të cilit ende nuk kishin përfunduar.
Ministria e Mbrojtjes tha se në mbështetje të kapaciteteve vendore të emergjencave janë në terren edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura, me mjete transporti dhe gomone.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 3 orë të pasdites të së premtes u regjistruan rreth 180 mm reshje shiu të cilat sollën më pas situatën e përmbytjeve që u përkeqësua gjatë natës nga prurjet e ujit në shumë lagje të qytetit.